Lidhja kriminale e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiqin turpëron parlamentin shqiptar, 51 deputetët socialist votuan kundër dënimit të gjenocidit serb në Srebrenicë

Lidhja kriminale e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiqin turpëron parlamentin shqiptar, 51 deputetët socialist votuan kundër  dënimit  të gjenocidit serb në Srebrenicë

Hajrullah Tërnava

  • 16 May 2022 - 07:29

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Jo rastësisht edhe Vuçiq e falënderoj Edi Ramën dhe vëllezërit shqiptar të Shqipërisë, për mos miratimin e kësaj rezolute. Prandaj në këtë mënyrë ky falënderim e thotë të tërin si qëndrim destruktiv të Edi Rames dhe klanit të tij mafioz që ka në raport me Serbin dhe në dëm të Kosovës.

-Tani kur në Ballkan gjinden dy shtete shqiptare, ishte dashur që përfaqësuesit e këtyre dy shteteve që të udhëheqin politika të përafërta dhe unifikuara në mbrojtje të interesave të përbashkëta shqiptare e sidomos interesave të përbashkëta kombëtare, dhe të gjitha shtetet tjera ta vërejnë këtë përafrim, sepse vetëm kështu do të tregohen edhe në praktikë se këto shtete formalisht janë të ndara në ata kufijtë ekzistues.

Çdo acarim i shteteve tjera ndaj njërit shtet do të thotë se acarimi i përfshin dy shtetet, sepse në praktikë dy shtetet janë me të njëjtin komb, e që në praktikë mjerisht nuk po tregohet dhe s’po argumentohet kjo situatë si e tillë, dhe në shumë raste të ndryshme vërehen situata konfliktuoze apo acaruese nga vetë burrështetasit që i përfaqësojnë shtetet në fjalë, e sidomos nga shteti i Shqipërisë që në krye të këtij shteti si Kryeministër është Edi Rama. Është tradhti ndaj interesit kombëtar qasja politike e Edi Ramës i cili po bënë çmos që me serbët ti mbaj marrëdhëniet e përafërta dhe mundohet t’iu dëshmohet si besnik dhe mik i madhe i Serbisë, edhe pse i ka të freskëta kujtimet e shumë masakrave që serbët i bënë kombit shqiptare -kosovar që nga vitet 1990-1999 por edhe me shekuj më herët.

Jo vetëm kaq Ai edhe në vitet e fundit po bënë çmos që ti promovonte politikat, edhe me disa politikan të Kosovës, që veriu i Kosovës ti jepet Serbisë, si kusht që të vjen deri te njohja reciproke, si dhe ideja e Ballkanit të hapur që kjo iniciativë i shkon për shtati vetëm Serbisë dhe me këtë iniciative pa njohje reciproke e shkrinë Kosovën në autonomi të kamotshme sikur që ishte në ish Jugosllavi.

Rama ka bërë edhe shumë gabime të njëpasnjëshme që i i shkojnë për shtati vetëm Serbisë, prandaj Qeveria e Edi Ramës në Shqipëri po e tregon lakuriq lidhjen dhe nënshtrimin e saj të ulët karshi Serbisë dhe regjimit të Aleksandër Vuçiqit, jo vetëm me insistimin për Ballkanin e Hapur, por edhe me veprimin më të turpshëm e skandaloz të detyrimit të shumicës përfaqësuese në Kuvendin e Shqipërisë për të mos e votuar rezolutën që dënon gjenocidin serb në Bosnjë dhe Hercegovinë. 51 deputetët e Partisë Socialiste të Shqipërisë kanë votuar kundër rezolutës që dënon krimet dhe gjenocidin serb në Srebrenicë e cila u propozua nga deputetët mbështetës të Sali Berishës.

Të mos votosh rezolutën për masakrën më të madhe të pas Luftës të Dytë Botërore-Srebrenices, është të mbash anën e vrasësve dhe kriminelëve serb, siç e bëri Parlamenti i Shqipërisë, kjo është turpi që nuk falet, dhe do ti shkakton dëme historikisht Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke mbetur njollë e zezë për mos ndëshkim të një krimi kolektiv, të një gjenocidi kur e gjithë bota demokratike e kanë dënuar gjenocidin serb me rastin e shpërbërjes të ish-Jugosllavisë, jo vetëm në Bosnjë por edhe në Kroaci dhe në Kosovë.

Prandaj kjo sjellje e krahut politik dhe Qeverisë së Edi Rames nënkupton se edhe masakrat dhe gjenocidi serb në Kosovë, për drejtuesit e shtetit shqiptare janë të padënueshme, prandaj edhe asnjëherë Shqipëria e qeverisur nga Edi Rama nuk ka insistuar për ti dënuar krimet e Serbisë në Kosovë, e të mos flasim për ta mbështetur një padi për kompensim të krimeve dhe dëmeve të luftës, të cilën nuk mundë ta bëjë aktualisht Kosova, por atë mundë ta bëjë dhe inicion Shqipëria në emër të Kosovës! Kjo sjellje injoruese ndaj krimeve serbë në një shtet fqinjë në Ballkan është një tregues që flet ashiqare se regjimi i Rames në Shqipëri është tërësisht i ndikuar dhe nënshtruar nga politika ruso serbe, nuk dallon shumë nga regjimi i Vuçiqit në Serbi, sepse që të dyja polet i lidh dhe i bashkon interesi kriminal dhe mafioz i bandave të krimit, të cilat duhet të lëvizin lirshëm edhe përmes jetësimit të Ballkanit të hapur, që është kulmi i angazhimit politik e diplomatik për të ja arritur qëllimit.

Me këtë qëndrim të Edi Rames ndaj masakrës në Srebrenicë ku edhe vetë Serbia e ka pranuar se ka ekzistuar një gjenocid, si dhe e tërë bota civilizuese e pranon këtë fakt, do të jetë një dëm i pa harruar politik i Shqipërisë ndaj Bosnjës e që kjo do të kontribuoj në të ardhmen edhe në ftohje të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve e pse jo edhe ndaj Kosovës kur dihet se edhe populli i Kosovës është shqiptar, dhe në këto baza Shqipëria ishte dashur ta miraton rezolutën e gjenocidit ndaj Srebernices. Jo rastësisht edhe Vuçiq e falënderoj Edi Ramen dhe vëllezërit shqiptar të Shqipërisë, për mos miratimin e kësaj rezolute. Prandaj në këtë mënyrë ky falënderim e thotë të tërin si qëndrim destruktiv të Edi Rames dhe klanit të tij mafioz që ka në raport me Serbin dhe në dëm të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".