E rëndë/ 50-vjeçari tenton të vetëvritet në Badovc, policët e gjejnë me litar rreth fytit dhe pa ndjenja

  • E.K /
  • 18 May 2022 - 08:28
E rëndë/ 50-vjeçari tenton të vetëvritet në Badovc, policët e gjejnë me litar rreth fytit dhe pa ndjenja

Dje rreth orës 17:25 në Badovc të Prishtinës, është raportuar një rast i rëndë, ku një person ka tentuar t’i japë fund jetës së tij

50-vjeçari kishte vendosur që të kryejë vetëvrasje duke e varur veten në litar, të cilin e kishte lidhur për dege të një peme.

Në afërsi të vendngjarjes kishte kaluar një dëshmitar i rastit, i cili me të parë aktin të cilin pothuajse e kishte kryer viktima, i ka dalë në ndihmë duke telefonuar menjëherë Policinë e Kosovës.

Intervenimi i njësiteve policore ishte i shpejtë, ku njëri nga policët e ka ngritur lart trupin e viktimës dhe me ndihmën e policit tjetër ia kanë larguar nga qafa litarin i cili përpak ia mori jetën.

Gjendja në të cilën u gjet viktima ishte e rëndë, pasi që ai tashmë ishte përtokë pa ndjenja.

Zyrtarët policorë i ofruan ndihmën e parë, duke bërë që me shtypje në kraharor, t’ia kthejnë pulsin dhe t’ia stabilizojnë të rrahurat e zemrës.

Posa 50-vjeçarit i është kthyer vetëdija, menjëherë është njoftuar ndihma e shpejtë, të cilët me urgjencë kanë transferuar viktimën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të marrë tretmanin e nevojshëm mjekësor.

Gjendja shëndetësore e 50-vjeçarit është stabile dhe i njëjti është liruar që të shkojë në shtëpi.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si ‘Vetëvrasje në tentativë”. 

(Kosova Sot Online)