Hovenier: Kosova ka dhënë argumente të forta dhe ShBA-ja e përkrahë anëtarësimin e saj në KE

  • E.K /
  • 19 May 2022 - 14:20
Hovenier: Kosova ka dhënë argumente të forta dhe ShBA-ja e përkrahë anëtarësimin e saj në KE

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka bërë të qartë se SHBA-ja e përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Hovenier në një intervistë për median lokale në gjuhën serbe Kossev, ka thënë se Kosova ka dhënë argumente të fuqishme se vlerat e saj janë në linjë me vlerat e Këshillit të Evropës.

I pyetur nëse Kosova do të arrijë të anëtarësohet apo do ta tërheqë aplikimin e saj, Hovenier tha se SHBA e përkrahë fuqishëm aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“S’mund të flas për qeverinë e Kosovës se çfarë mund të vendosë, por ne jemi të qartë që Kosova është një shtet sovran dhe mund t’i marrë vendimet sovrane, pavarësisht qëllimeve të politikës së jashtme dhe prioriteteve. Kosova ka vendosur që të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kanë paraqitur argumente mjaft të forta se vlerat e saj janë në linjë me vlerat e Këshilli të Evropës. Si çështje politike, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur dhe e mbështesin integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike, përfshirë Këshillin e Evropës”, ka thënë Hovenier.

Para një jave, Kosova ka dorëzuar aplikacionin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës me seli në Strasburg.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

(Kosova Sot Online)