Pas komunikatës së QUINT’it, ambasadorët e huaj shkojnë për vizitë në Manastirin e Deçanit

  • E.K /
  • 24 May 2022 - 15:13
Pas komunikatës së QUINT’it, ambasadorët e huaj shkojnë për vizitë në Manastirin e Deçanit

Trupi diplomatik në Kosovë ka shkuar për ta vizituar Manastirin e Deçanit pas thirrjes që disa prej tyre i bënë Qeverisë së Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës rreth këtij manastiri.

Diplomatët u pritën nga igumeni Sava Janjiq, derisa për këtë vizitë, përmes Twitter, njoftoi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

“I lumtur që iu bashkova kolegëve nga trupi diplomatik i Kosovës në një vizitë te Manastiri i bukur dhe historik i Deçanit”, ka shkruar Hovenier.

Më 20 maj, kur u bënë gjashtë vjet që nga marrja e vendimit të Kushtetueses, shtetet e QUINT’it me një deklaratë të përbashkët, për të katërtën herë, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit.

“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar”, thuhet në reagimin e tyre.

(Kosova Sot Online)