Haradinaj: Bujar Nishani do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet

  • E.K /
  • 28 May 2022 - 17:16
Haradinaj: Bujar Nishani do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka shprehur ngushëllime familjes së presidentit Bujar Nishani pas vdekjes së tij sot.

Haradinaj ka thënë se Nishani do të kujtohet si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri.

“Paska ndërruar jetë Presidenti Bujar Nishani. Bashkëndjejmë me familjen dhe të afërmit për këtë humbje të madhe. Do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri.  U prehtë në paqe”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vdekur të shtunën, më 28 maj, nga komplikimet shëndetësore si pasojë e betejës disamuajshe me COVID-19. Ai ishte 55 vjeç.

Nishani ndërroi jetë në një spital në Gjermani, ku ishte dërguar para një muaji për përkujdesje intensive pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore. Ai po ashtu vuante nga një sëmundje auto-imune.

Nishani u zgjodh president i Shqipërisë në vitin 2012 dhe shërbeu në këtë pozitë përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017.

Në këtë pozitë erdhi nga një karrierë akademike pranë Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe angazhimit disa vjeçar në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në dekadën e parë të tranzicionit demokratik.

Nishani ishte anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ka shërbyer si deputet nga radhët e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005.

Ai ka mbajtur pozitën e ministrit të Brendshëm në vitin 2007 dhe në vitin 2011, ndërsa atë të ministrit të Drejtësisë në vitin 2009.

(Kosova Sot Online)