Cili është plani përfundimtar i Amerikës mbi luftën në Ukrainë?

  • E.K /
  • 30 May 2022 - 11:10
Cili është plani përfundimtar i Amerikës mbi luftën në Ukrainë?

Pak përpara se Rusia të niste pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainë në fundin e muajit shkurt, gjenerali Mark Milley, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit të ushtrisë amerikane, bëri një parashikim pesimist mbi atë që do të ndodhte. Një rezultat i mundshëm, deklaroi ai gjatë një seance dëgjimore me dyert të mbyllura në Kongresin Amerikan, ishte se Kievi mund të binte në duart e rusëve brenda 72 orëve.

Por duke folur sërish të hënën para Kongresit, pas 3 muajsh në të cilat ukrainasit jo vetëm që e kanë shmangur sulmin fillestar ndaj kryeqytetit të tyre, por po vazhdojnë të rezistojnë mirë në një luftë të përgjakshme në juglindje të vendit, Milley ka sot një vlerësim shumë të ndryshëm të situatës dhe asaj që mund të pritet në të ardhmen e afërt.

Shtetet e Bashkuara, tha ai, do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën në luftën e saj, pasi është e rëndësishme t’i tregohet gjithë botës se “i madhi nuk mund të shkatërrojë dhe pushtojë më të dobëtin dhe më të voglin”. Sa i përket mënyrës se si mund të përfundojë lufta, Milley tha se u takon ukrainasve që të vendosin.

Sukseset e Ukrainës në fushën e betejës, kanë krijuar një ndjesi triumfaliste në disa segmente zyrtarësh në Uashington javët e fundit. Në kontrast me pesimizmin e ditëve të para të konfliktit, disa nga politikanët dhe zyrtarë kryesorë, po shohin tani mundësinë e dhënies së një goditjeje vendimtare Rusisë.

Kryetarja e Kongresit Amerikan, Nency Pelosi, deklaroi pas një vizite në Kiev dhe një takimi me presidentin Volodymyr Zelensky, se Amerika do të jetë në krah të Ukrainës “derisa të arrihet fitorja”. Ndërkohë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se “ne duam që ta shohim Rusinë të dobësuar deri në masën që ajo mos të ketë mundësi të bëjë gjëra të tilla në të ardhmen”.

Që kur ka nisur lufta, Uashingtoni i ka dhënë Ukrainës një ndihmë t ë paprecedentë prej 54 miliardë dollarësh. Pjesa më e madhe e kësaj ndihme u miratua javën e kaluar, kur presidenti Joe Biden firmosi vendimin që do të dërgojë 40 miliardë dollarë të tjera në mbështetje të luftës në Ukrainë, duke përfshirë rreth 20 miliardë dollarë ndihmë ushtarake.

Por pas retorikës që shpreh siguri për fitoren, ka shumë më pak qartësi mbi atë që Uashingtoni beson se mund dhe duhet të ndodhë në Ukrainë. Po ashtu ka pak detaje rreth asaj se si do të dukej në fakt një disfatë strategjike e Rusisë në këtë lufte, apo çfarë lloj pakti mbi ndryshimet territoriale mund t ë inkurajojë SHBA-ja që të pranojnë ukrainasit.

Bazuar tek synimet e hartuara së fundmi nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, të para nga gazetarët e “The Financial Times”, Uashingtoni “kërkon një Ukrainë demokratike, sovrane dhe të pavarur”, dhe synon të sigurojë që përpjekja e Rusisë për ta dominuar Ukrainën “të përfundojë në një dështim strategjik”.

“Ne synojmë t’i garantojmë Ukrainës një pozicion sa më të fortë në fushën e betejës, në mënyrë që ajo të ketë sa më shumë ndikim në tryezën e negociatave”- thuhet në një nga pikat e strategjisë. Por disa analistë thonë se administrata Biden mund të jetë duke i mbajtur qëllimisht të paqarta disa elementë të qëllimeve që ka Uashingtoni në këtë luftë.

“Qëllimi është të sigurohet dështimi i Rusisë në agresionin e saj kundër Ukrainës. Por nuk është e qartë se çfarë kuptohet me dështim? Për të ruajtur një shkallë fleksibiliteti, ata nuk duan që të japin më shumë detaje”- thonë Steven Pifer, ish-ambasador i SHBA në Ukrainë dhe William Perry Fellow nga Universiteti Stenford.

Tani administrata Biden po përpiqet të kryejë një akt balancues tejet delikat. Ajo dëshiron të ofrojë një mbështetje ushtarake efektive për Ukrainën, dhe nga ana tjetër të shmangë çdo përshtypje se po përpiqet ta shtyjë atë drejt kompromiseve të mundshme për lëshime territoresh,  çka do të shkaktonte jo pak probleme politike në Kiev.

Por njëkohësisht, ajo po përpiqet të mbajë të bashkuar një koalicion ndërkombëtar në mbështetje të Ukrainës, që përfshin edhe disa aleatë evropianë, të cilët shqetësohen haptazi për ndikimin negative që do të kishte një luftë e gjatë, si mbi Ukrainën dhe shoqërinë e saj, po ashtu edhe mbi ekonomitë e tyre.

Javët e fundit, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, bënë deklarata ku inkurajojnë arritjen e një lloj armëpushimi dhe një zgjidhje të negociuar. Dhe teksa të gjithë anëtarët e koalicionit ndërkombëtar këmbëngulin se vendimi përfundimtar mbi qëllimet e kësaj luftës u takon ukrainasve, ata e dinë se aftësia e Kievit për ta vazhduar luftën varet shumë nga armët dhe ndihma financiare që merr nga Perëndimi, dhe mbi të gjitha nga amerikanët.

“Evropianët do të donin që ta dinin se cili është plani përfundimtar i Amerikës, sepse ideja e humbjes apo e mos-fitimit të Rusisë nuk është e përcaktuar,”- thotë Stefano Stefanini, ish-ambasadori i Italisë në NATO. Ndihma e re shumë e rëndësishme e SHBA-së ndaj Ukrainës, sinjalizon angazhimin e vazhdueshëm të Uashingtonit në këtë luftë.

Por kjo ndihmë është duke u kalibruar me shumë kujdes. Forcat ukrainase kërkojnë armë me rreze më të gjatë, në një luftë ku të dyja palët po e bombardojnë njëra-tjetrën me artileri të rëndë dhe po pësojnë humbje të mëdha. SHBA ai ka premtuar dërgimin e dhjetëra topave obuzë 155 mm të prodhimit amerikan, të cilët kanë një rreze më të gjatë dhe janë më të saktë sesa topat standarde ruse.

Shumica e tyre kanë mbërritur tashmë në Ukrainë dhe kanë filluar të përdoren në fushën e betejës. Por administrata po përballet me presionin e brendshëm politik për të shkuar më tej. Rob Portman, senator republikan nga Ohio, dhe senatorë të tjerë i kanë bërë thirrje administratës që të dërgojë sisteme raketore, propozim që ka ngjallur shumë debate.

“Ne duhet të jemi të sigurt se po u dërgojmë atyre ato për të cilat kanë vërtet nevojë. Ne nuk mund ta gënjejmë veten duke menduar se nëse nuk u ofrojmë sistemet raketore MLRS, nuk do të provokojmë Rusinë dhe se presidenti Putin do të kënaqet nga ky gjest, dhe do të nisë të pakësojë sulmet e tij ndaj Ukrainës”- tha ai gjatë javës së kaluar. Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur armë më rreze më të gjatë si raketahedhësit “Himars”.

Por SHBA nuk ka marrë ende një vendim për këtë sistem, dhe një zyrtar i Kongresit tha se administrata ka hezituar t’i dërgojë ato. Administrata Biden nuk dëshiron që ndihma e saj ushtarake ta ndihmoj ë ushtrinë ukrainase të sulmojë brenda Rusisë, dhe për momentin nuk po ofron informacione për shënjestrimin e liderëve të lartë ushtarakë rusë në terren.

Diskutimet e kujdesshme mbi armët janë pjesë e një diskutimi më të gjerë në Uashington, mbi at ë se çfarë do të thotë në të vërtetë një “humbje strategjike” për Rusinë. Zyrtarët amerikanë mendojnë se pas luftës Rusia do të jetë më e dobët, sidomos për shkak të sanksioneve globale që do të vazhdojnë të dobësojnë ekonominë e saj.

Por pavarësisht pengesave që ka pësuar fushata ushtarake ruse, zyrtarët amerikanë thonë se Moska ka ende aftësinë për ta dobësuar ndjeshëm Ukrainën, duke vazhduar një konflikt të gjatë që do ta mbajë vendin në krizë financiare. Bllokada e porteve të Detit të Zi nga Rusia, ka ndalur të gjitha eksportet e drithit ukrainas duke rrezikuar një krizë ushqimore globale.

Edhe aleatët evropianë të Uashingtonit ndajnë të njëjtat frika nga një luftë e gjatë. Avril Haines, drejtori i inteligjencës kombëtare në SHBA, deklaroi kohët e fundit në Kongres se presidenti rus Putin mbështet tek shpresa se uniteti i Perëndimit do të zbehet. Dhe në fakt disa të çara kanë filluar të shfaqen.

Shtete si Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë shkuar shpeshherë më larg sesa vetë SHBA-ja në qasjen ndaj Rusisë, ndërsa Franca, Italia dhe Gjermania kanë predikuar më shumë kujdes. Po ashtu vendet evropiane druhen se kriza e afërt ushqimore nga bllokada ruse e porteve të Ukrainës, do të rrënojë me tej vendet e brishta të Afrikës dhe Lindjes së Mesme, duke nxitur një valë të re emigrimi drejt Evropës.

(Kosova Sot Online)