U raportua se Putin vuan nga kanceri, reagon Lavrov

  • E.K /
  • 30 May 2022 - 11:36
U raportua se Putin vuan nga kanceri, reagon Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka mohuar raportimet se presidenti Vladimir Putin është i sëmurë, duke thënë se ai nuk ka shenja që tregojnë për ndonjë sëmundje. Sipas Lavrov, raportimet që Putin po vuan nga kanceri janë thashetheme.

Shëndeti dhe jeta private e Putinit janë tema tabu në Rusi dhe pothuajse kurrë nuk diskutohen në publik. Por, raportet kanë qarkulluar jashtë shtetit se Putin është i sëmurë rëndë, në disa raporte thuhet se ai vuan nga “kanceri i gjakut”.

Duke iu përgjigjur një pyetje nga transmetuesi francez TF1, kryediplomati rus tha: “Unë nuk mendoj se njerëzit e arsyeshëm mund të shohin tek Putin shenja të një lloj sëmundjeje”.

Lavrov tha se Putin, i cili do të mbushë 70 vjeç në tetor, shfaqet në publik “çdo ditë”.

“Ju mund ta shikoni atë në ekrane, të lexoni dhe dëgjoni fjalimet e tij,” tha Lavrov.

Raportimet se Putin po vuan nga kanceri, Lavrov i quajti thashetheme.

“E lë në ndërgjegjen e atyre që përhapin thashetheme të tilla”, u shpreh ai.

Putin, i cili ka qenë në pushtet në Rusi për më shumë se dy dekada, dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt, duke shkaktuar valë tronditëse në mbarë botën.

Ofensiva e Moskës ka vrarë mijëra njerëz, ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka çuar në sanksione të pashembullta perëndimore kundër Moskës. 

(Kosova Sot Online)