Policia e Kosovës në Vërmicë sekuestron veturën e vjedhur “Land Rover”

  • E.K /
  • 30 May 2022 - 14:42
Policia e Kosovës në Vërmicë sekuestron veturën e vjedhur “Land Rover”

Policia e Kosovës në pikën kufitare në Vërmicë ka hasur në një veturë të dyshuar, ku pas kryerjes së procedurave të parapara ka rezultuar si veturë e vjedhur jashtë vendit.

Siç njofton policia, mbrëmë në pikën kufitare në Vërmicë, konkretisht në drejtimin e qarkullimit nga Shqipëria në hyrje për në Kosovë, është ndaluar vetura e tipit Land Rover, LW, ngjyrë e zezë me targa vendore, me drejtues mashkull kosovar.

“Gjatë verifikimit të të dhënave të veturës dhe regjistrimit të saj në sistem, vetura e lartcekur është selektuar për kontroll në vijën e dytë, ku gjatë realizimit të kontrollës tek numri identifikues i veturës,  është dyshuar se ka ndërhyrje. Me këtë rast është kërkuar nga Policia e Frontex- it, me mision në pikën kufitare në Vërmicë, që të bëhet verifikimi i veturës, verifikim sipas të cilit ka rezultuar se,  e njëjta veturë është e vjedhur në vitin 2016 në një shtet tjetër”, njofton policia.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që vetura dhe leja e qarkullimit të sekuestrohen  dhe rasti të vazhdoj  në procedurë të rregullt ndërsa lënda per hetime të metutjeshme  i është dorëzuar njësisë për hetimin e autokrimeve.

(Kosova Sot Online)