“Kryeministri qenka fantastik” – nënkryetari i Prishtinës bën tifo për Kryeministrin Kurtin teksa luan tenis

  • A.P /
  • 31 May 2022 - 20:16
“Kryeministri qenka fantastik” – nënkryetari i Prishtinës bën tifo për Kryeministrin Kurtin teksa luan tenis

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka qenë sot në rolin e tifozit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kurti, mori pjesë në përmbylljen e Festivalit të Tenisit për vitin 2022, aktivitet ky i organizuar nga Federata e Tenisit dhe e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Gjatë kohës sa Kurti po provonte “backhandin”, dëgjohet Zogaj duke thënë se Kurti është fantastik.  

Zogaj i takon partisë LDK-së dhe është anëtar i kryesisë në këtë subjekt.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se tenisi është një ndër sportet më të bukura dhe më të shëndetshme, si për t’u luajtur, por edhe për t’u shikuar. Andaj është ndjenjë e mrekullueshme për mua që t’ju shoh të gjithëve bashkë dhe të gatshëm për të luajtur tenis, shtoi ai.

Kryeministri Kurti rikujtoi se edhe ai ka luajtur tenis dhe se ka përcjellë yjet e mëhershme të tenisit, mirëpo ka thënë se kushtet tani janë shumë më të mira sesa atëherë kur improvizonin fushë tenisi në lagjen “Aktashi”.

“Aktiviteti fizik dhe sporti kanë rol kyç në zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të gjeneratave të reja. Përmes tyre krijojnë qëllime dhe marrëdhënie të shkëlqyeshme shoqërore, bëhemi shoqe e shokë me njëri-tjetrin, përkujdesemi për mirëqenien fizike, mendore dhe emocionale të të gjithë fëmijëve tanë”, tha kryeministri Kurti.

(Kosova Sot Online)