Hoti i kthehet takimit të Bujar Osmanit me Sekretarin Blinken, ka pyetje për Kryeministrin Kurti

  • E.K /
  • 03 June 2022 - 12:06
Hoti i kthehet takimit të Bujar Osmanit me Sekretarin Blinken, ka pyetje për Kryeministrin Kurti

Ish-kryeministri Avdullah Hoti po kërkon llogari nga Qeveria Kurti për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, të cilin e nënshkroi vetë ai më 4 shtator të 2020-ës sa ishte në krye të ekzekutivit.

Hoti kritikën e nisi duke e përgëzuar Maqedoninë e Veriut që po diskuton partneritetin strategjik me SHBA-në, për të cilën tha se është e rëndësishme për gjithë rajonin.

“E përgëzoj Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut për këtë arritje”, tha Hoti derisa shtoi se Qeveria e Kosovës po e neglizhon Marrëveshjen e Uashingtonin të 4 shtatorit 2020, që është e natyrës së partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Pyetjet themelore janë: 1. Pse po neglizhohet kjo marrëveshje?  2. Pse po neglizhohet studimi i fizibilitetit për të lidhur Prishtinën me hekurudhë në Portin e Adriatikut? 3. Pse po neglizhohet mundësia për qasje në financim për ndërmarrje të vogla dhe të mesme në tregjet financiare amerikane? 4. Pse po neglizhohet mundësia për projekte bilaterale? 5. Pse po neglizhohet zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-ShBA për Insentiva në Investime, e nënshkruar më 31 dhjetor 2020 nga Qeveria Hoti?  6. Pse u shty për më shumë se një vit marrëveshja me MCC për energji, ku përfshihej rrjeti i gazit dhe bateritë për ruajtje të energjisë, e në fund prapë u pajtuan për bateritë?”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka paralajmëruar se në ditën në vijim do t’i publikojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria Hoti me SHBA, të cilat po neglizhohen, si dhe, sipas tij, pasojat për Kosovën.

(Kosova Sot Online)