Lajçak: Ballkani Perëndimor po na kritikon, po bëhet çdo ditë e më e vështirë të flas në emër të BE-së

  • E.K /
  • 03 June 2022 - 14:17
Lajçak: Ballkani Perëndimor po na kritikon, po bëhet çdo ditë e më e vështirë të flas në emër të BE-së

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, në Forumin e Bratislavës ka folur për afrimin e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit të BE-së dhe kohën kur do të mund të ndodhë kjo.

Ai përsëriti se BE-ja ka pasë një qasje të gabuar ndaj rajonit viteve të fundit dhe për këtë tha se është bërë e vështirë të flasë në forume të tilla meqë po merr shumë kritika nga vetë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, Lajçak tha se rajoni pati pak fat në fatkeqësinë që ndodhi me luftën e Ukrainës meqë ka kthyer vëmendjen e Unionit.

“Aktualisht situata është më ndryshe. Kemi zhvillimet në pesë vitet e fundit që s’kanë qenë aq shumë pozitive. Ka pasë një përkushtim dukshëm më të dobët, një mungesë entuziazmi, ndoshta edhe një mungesë të pajtueshmërisë sa i përket anëtarësimit të plotë të rajonit. Ka pasë [brenda BE-së] edhe një perceptim të gabuar që rajoni mund të presë, duke menduar se është në një status të sigurt dhe s’mund t’i ndodhë asgjë rajonit, kështu që nuk ka nevojë që të ngutemi dhe se mund t’i rregullojmë problemet tona së parie pastaj të merremi me këtë rajon. Tashmë kjo ka ndryshuar sepse, BE po humb popullaritetin dhe kredibilitetin në rajon në masë gramatike do të thosha. Po bëhet çdo ditë e më vështirë që të jemi në këso panele në rajon e të përfaqësojmë BE-në, sepse deri më tani kemi ligjëruar në njëfarë mënyrë, por tash na kritikojnë partnerët tonë”, tha Lajçak në panelin ku pjesëmarrës është edhe kryeministri Kurti.

Lajçak tha se ndryshuesi i çështjes është rasti i Ukrainës, i cili ka prodhuar presion politik. Ai shtoi se pajtohet se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtarë me të drejta të plota të BE-së dhe tregoi se ka një ndjenjë të urgjencës dhe një mirëbesim.

“Tani a mund ta kthejmë këtë mirëbesim në realitet apo një cilësi të re? Ekziston vullneti i mirë, por ende ballafaqohemi me vështirësi si për shembull si ta demonstrojmë vullnetin tonë për ta afruar Ukrainën, por jo ta bëjmë këtë në dëm të partnerëve tonë në BP, sepse kemi qenë partnerë shumë vite me radhë dhe me 23 të këtij muaji do të marrim ato përgjigje”.

Lajçak tha se edhe gjashtë shtetet e rajonit duhet ta ndihmojnë BE-në që të marrë vendimet e duhura.

(Kosova Sot Online)