Gjëja e fundit që i duhet Evropës, është një luftë tjetër në pragun e saj

  • S.A /
  • 04 June 2022 - 08:35
Gjëja e fundit që i duhet Evropës, është një luftë tjetër në pragun e saj

Në rast se Bosnje Hercegovina do t’i mbijetojë krizës aktuale politike, atëherë kryeqyteti i saj, Sarajeva, duhet të ketë seriozisht mundësinë të rifitojë plotësisht lavdinë e saj tëdikurshme, si qendra e ringjalljes rajonale menjëherë pas luftës së viteve 1992-1995.

Ashtu si Ukraina, edhe Bosnja është e rrethuar nga vende që janë përpjekur vazhdimisht ta gllabërojnë, dhe të promovojnë mitin e brishtësisë së saj historike. Këto të fundit janë mundësuar nga politikanët nacionalistë të të gjitha anëve, por më shumë nga udhëheqës silideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, që po propozon ngritjen e institucione të veçanta politike dhe administrative, dhe ka nisur një sulm frontal ndaj ish-Përfaqësuesit të Lartë të Bosnjës dhe atij aktual.

Por historia e kohëve të fundit në Bosnje tregon një histori të ndryshme, atë të qëndresës dhe bashkëpunimit. Bosnja jo vetëm që mbijetoi, në një kohë kur të gjithë menduan se do të binte në kolaps gjatë luftës së viteve 1992-1995, por ky vend e ka ruajtur mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Me mbështetjen ndërkombëtare, Bosnja është ftuar të ecë në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Po, ne e kujtojmë dështimin për ta përmirësuar Marrëveshjen e Dejtonit dhe sabotimin e dyshimtë politik të të ashtuquajturës Paketë e prillit të vitit 2006.

Më pas nacionalizmi u kthye në modë, teksa SHBA-ja dhe BE-ja u tërhoqën nga Bosnja për t’u përqendruar në fushatat e tyre në Afganistan dhe Irak. Në korrikun e vitit të kaluar, pak para largimit të tij nga detyra, ish-përfaqësuesi i lartë, austriaku Valentin Inzko, dekretoi një ligj që ndryshoi Kodin Penal të Bosnjës, dhe që synonte të ndalonte me ligj mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Sigurisht, do të kishte qenë shumë më mirë nëse ai do ta kishte bërë këtë gjë shumë më herët, dhe në kohën kur Bosnja po ecte më mirë drejt integrimit në Evropë. Në atë kohë, do të ishte e papranueshme t’u jepej mbështetje kriminelëve të luftës, të glorifikohej gjenocidi, dhe të talleshe me viktimat e tij.

Pasardhësi i tij, Christian Schmidt, e ka vijuar presionin për ndryshime, si në kushtetutë ashtu edhe në ligjin zgjedhor. Por Dodik gjendet tashmë në një pozitë të dobët. Njerëzit pranë tij pretendojnë se tani ai po vepron nga dëshpërimi, dhe po e përdor amendamentin si një “casus belli” (shkak për luftë).

Dodik mund të jetë duke këmbëngulur në rrugën e tij. Por në Bruksel, Hagë, Riga, Berlin, Uashington dhe Londër, politikanët kanë deklaruar se e vetmja rrugë për Bosnjën është drejt nismave të përbashkëta euro-atlantike.

Pas lajmit se Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, njoftoi mos-njohjen e të gjitha “raporteve të progresit” të prodhuara nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në 15 vitet e fundit,dhe se do të rivendoste axhendën e saj nacionaliste, Britania e Madhe emëroi ish-kreun e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Marshallin Stuart Peach, si të dërguari e saj special për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë punuar aktivisht për të çuar përpara Procesin e Berlinit dhe nismën e Ballkanit të Hapur. Që të dyja ato synojnë të promovojnë stabilizimin dhe rritjen në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Bosnja mund të luajë këtu një rol kyç.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Gabriel Eskobar, deklaroi me të drejtë se suksesi i nismës së Ballkanit të Hapur, kërkon pjesëmarrjen e të 6 vendeve:Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës.

Në fakt, palët e interesuara brenda dhe jashtë vendit duhet të punojnë tani për t’i përmirësuar ato marrëdhënie, të cilat janë dëmtuar nga etno-nacionalistët gjatë 15 viteve të fundit. Disa elementë inkurajues dhe të prekshëm nga ajo periudhë kanë mbijetuar, përfshirë Këshillin Koordinues Rajonal (RÇ), me selinë e tij në Sarajevë.

RÇ u krijua për të nxitur rritjen përmes bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore, duke mbështetur integrimin evropian dhe atë euroatlantik. Megjithëse u fut në ngërç disa vite më parë për shkak të mungesës së lidershipit apo inercisë së atyre që ishin në krye, logjika e bashkëpunimit rajonal është imponuese dhe mund të japë rezultate.

Kjo pasi ne jemi dëshmitarë të nismave të ngjashme që vijnë nga Këshilli Nordik dhe Grupi i Vishegradit në arenën ndërkombëtare. Një seli e re e RÇ-së në Sarajevë do të siguronte me çdo kusht një kundërpeshë ndaj ndikimit jo–proporcional rajonal që ushtrohet shpesh nga Serbia dhe Kroacia.

Po ashtu, ajo do të plotësonte kërkesat e Procesit të Berlinit dhe të nismës së Ballkanit të Hapur (një mini Shengen) dhe do të hapte rrugën për një integrim më të thellë ndër-rajonal.Në fakt, kjo e fundit ishte një ide real–politike e presidentit francez Emmanuel Macron (nuk e cilësua si shumë pozitive për rajonin kur u shpall në vitin 2019).

Nisma e Ballkanit të Hapur, supozohet të jetë një paradhomë proaktive e BE-së për vendet aspirante. Megjithatë, aktualisht Bashkimi Evropian gjendet vetë në ujëra të trazuara, pa pasur shumë gjëra në dorë për t’i ofruar Ballkanit Perëndimor. Në rrethanat aktuale globale dhe rajonale, si SHBA–ja ashtu edhe BE-ja, nuk kanë luksin të mos e mbështesin një zhvillim të tillë. Apo jo?

Shënim: Nedzad S.Hadzimusic, ish-diplomat karriere i Bosnjë-Hercegovinës dhe ish-Jugosllavisë. Ai është bashkë–autor i Strategjisë së Bosnjës për Integrimin dhe Sigurinë në BE.

Nga Nedzad S.Hadzimusic

“Eu Observer”

(Kosova Sot Online )