Kërkohet paraburgim për shoferin që kontrabandoi migrantë nga Turqia në Kosovë

  • E.K /
  • 06 June 2022 - 14:26
Kërkohet paraburgim për shoferin që kontrabandoi migrantë nga Turqia në Kosovë

Njësia e Trafikut Rajonal në Prishtinë sot ka ndaluar një minibus të tipit “Mercedes”, ku janë identifikuar 18 viktima të kontrabandimit me emigrantë, ndërsa shoferi i automjetit është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesën për paraburgim në Gjykatën Themelore.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, e cila tha se i arrestuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me emigrantë.

“Me urdhër të prokurorit është ndaluar një person i dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”. Ndaj të njëjtit prokuroria sot, ka paraqitur kërkese për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Në njoftimin e lëshuar nga Policia e Kosovës thuhet se 11 nga viktimat janë nga Siria, 6 nga Egjipti dhe 1 nga Iraku.

Ata kanë deklaruar se në mënyrë të organizuar dhe të udhëhequr nga disa persona, nga Turqia dhe shtetet e tjera kishin për qëllim të kalonin në vendet e BE-së.

Shtetasit e huaj janë intervistuar nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në Prishtinë dhe më pas janë dërguar në Qendrën e Azilit. 

(Kosova Sot Online)