Shoku i fëmijërisë e vret në zyrën e tij ministrin e Republikës Domenikane

  • E.K /
  • 07 June 2022 - 08:23
Shoku i fëmijërisë e vret në zyrën e tij ministrin e Republikës Domenikane

Ministri i mjedisit dhe burimeve natyrore i Republikës Domenikane është qëlluar dhe vrarë në zyrën e tij nga një mik i ngushtë personal, thonë zyrtarët.

Orlando Jorge Mera, 55 vjeç, ishte duke mbajtur një takim në momentin e sulmit. Të paktën gjashtë të shtëna janë dëgjuar, raporton BBC.

Një zëdhënës presidencial tha se sulmuesi ishte Miguel Cruz, duke thënë se ai ishte një shok fëmijërie i ministrit.

Cruz tani ndodhet në paraburgim derisa motivi i të shtënave mbetet i paqartë.

Në një deklaratë, familja e Jorge Mera tha se ai ishte qëlluar disa herë nga një burrë me të cilin ishte shok që nga fëmijëria.

“Familja jonë e fal personin që e bëri këtë. Një nga trashëgimitë më të mëdha të Orlandos ishte të mos mbante mëri”, tha familja.

Jorge Mera kishte shërbyer në administratën e Presidentit aktual Luis Abinader që kur ai erdhi në pushtet në korrik 2020.

Në një postim në Twitter, Presidenti Abinader shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen e Jorge Mera dhe tha se ndjente keqardhje të thellë për vdekjen e mikut të tij të mirë.

(Kosova Sot Online)