Partia e LDK-së takohet me ambasadorin e SHBA-së, Abdixhiku tregon çfarë kanë folur

  • E.K /
  • 08 June 2022 - 15:36
Partia e LDK-së takohet me ambasadorin e SHBA-së, Abdixhiku tregon çfarë kanë folur

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sot ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ku kanë biseduar për politikën e jashtme, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euro-atlantik.

Përveç ambasadorit amerikan, pas takimit foli edhe Abdixhiku, ku ndau detaje gjatë takimit të tyre.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se bashkë më ambasadorin Hovenier kanë diskutuar për temat me ‘interes nacional’ për Kosovën.

“Me ambasadorin Hovenier biseduam për temat me interes nacional për Kosovën dhe partneritetin strategjik të vendit me ShBA-të. Me theks të veçantë, në këtë sesion u shtruan temat e proceseve integruese të Kosovës; dialogut të fasilituar nga BE; zhvillimit ekonomik e energjetik të Kosovës, qeverisjen e mirë, reformat në drejtësi si dhe partneritetin për mbrojtje e avancim të FSK-së”, ka shkruar Abdixhiku.

I pari i LDK-së tha se e ka falënderuar për mbështjetjen që SHBA ka dhënë për Kosovën në të gjitha etapat historike dhe ka shprehur përkushtimin e partisë së tij për avancimin e partneritetit jetik që Kosova ka me ShBA-të

“Shpreha qartë qëndrimin e LDK-së se Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e saj në avancimin e agjendës euro-atlantike dhe marrjes së vendimeve me interes nacional për vendin. LDK do të kujdestarojë relacionet strategjike me ShBA-të në të gjitha etapat e ardhshme zhvillimore të Kosovës”, tha ai. 

(Kosova Sot Online)