Loja Kosovë-Irlandë e Veriut, këto rrugë bllokohen sot

  • E.K /
  • 09 June 2022 - 13:00
Loja Kosovë-Irlandë e Veriut, këto rrugë bllokohen sot

Sot, më 9 qershor 2022, përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të zhvillojë ndeshje ndaj Irlandës së Veriut. Policia e Kosovës ka hartuar dhe do të zbatojë planin operativ për të ofruar siguri para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Policia do të kujdeset që në perimetrin e jashtëm (perimetri i dytë) të stadiumit të ofrojë siguri dhe të kujdeset për mbarëvajtjen dhe lëvizjen e personave në atë perimetër.

“Rrugët që shkojnë drejt stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe përreth tij do të jenë të bllokuara për qarkullim dhe parkim të veturave. Pra, nuk do të lejohet hyrja e veturave nga rruga ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Fehmi Agani’ në drejtim të stadiumit dhe lëvizja apo parkimi përgjatë rrugës përreth stadiumit. Kurse veturat zyrtare që lejohen të futën në atë zonë duhet të jenë të pajisura me leje të parkingut dhe do të futen në parkim vetëm nga rruga ‘Tirana’.9 “, njofton policia.

Policia, në zbatim të planit operativ do të angazhohet edhe në kontroll më të detajuar të personave që shkojnë drejt stadiumit dhe nuk do të lejohen gjëra që mund të paraqesin rrezik në situata të tilla si dhe gjëra që janë të ndaluara për hyrje në stadium.

“Personat të cilët nuk janë pajisur me bileta, apo të cilët përpiqen të qëndrojnë në afërsi apo për rreth stadiumit, sipas planit nuk do të lejohen të qëndrojnë, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

(Kosova Sot Online)