“A ke nevojë për ndihmë?”, shënimi që shpëtoi 11 vjeçarin nga njerku abuzues në restorant

  • E.K /
  • 10 June 2022 - 10:47
“A ke nevojë për ndihmë?”, shënimi që shpëtoi 11 vjeçarin nga njerku abuzues në restorant

Një kamariere në SHBA ka shpëtuar një fëmijë 11 vjeçar nga abuzimi në familje pasi vuri re se diçka nuk shkonte me të. Flaviane Carvalho vuri re se një familje hyri në restorant ku punonte dhe se njëri prej fëmijëve rrinte i veçuar nga pjesa tjetër, nuk po hante ushqimin dhe kishte të nxira në trup.

Kamarierja shkroi një letër ku theksohej: “A keni nevojë për ndihmë?” Kur 11 vjeçari pohoi me kokë se po, ajo telefonoi policinë dhe disa ditë më vonë nëna e djalit, Kristen Swann dhe njerku Timothy Lee Wilson u morën në paraburgim.

Hetuesit më vonë zbuluan se ai ishte torturuar dhe privuar nga ushqimi dhe uji për ditë të tëra. Djali ishte i detyruar të bënte ushtrime të stilit ushtarak dhe madje ishte varur me kokë poshtë nga një derë. Hetuesit gjetën sende të shumta të përdorura si pranga dhe rripa të përdorur për të lidhur fëmijën.

(Kosova Sot Online)