Dialogu Kosovë-Serbi, kjo gjë ndodh për herë të parë në Parlamentin Evropian

  • E.K /
  • 14 June 2022 - 10:33
Dialogu Kosovë-Serbi, kjo gjë ndodh për herë të parë në Parlamentin Evropian

Komisioni i Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme ka votuar raportin që thekson se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciproke.

Kështu ka shkruar korrespodentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina. Ajo tha se kjo është hera e parë që institucionet e Bashkimit Evopian e përmendin këtë.

“Komisioni i Parlamentit për Punë të Jashtme voton raportin i cili nënvizon se marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciproke. Kjo është hera e parë që një institucion i BE-së përmend elefantin në dhomë në dokumentin zyrtar”, ka shkruar Tuhina.

Pak më parë, media raportoi se 43 eurodeputetë kanë votuar pro, 9 kundër dhe 5 kanë abstenuar në votimin për Raportin për Kosovën në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Në tekstin e Raportit të prezantuar nga Raportuesja Viola Von Cramon i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Poashtu në këtë raport përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe aspiratën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian si dhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Sipas dokumentit që pritet të diskutohet më 14 qershor, Parlamenti Evropian shprehet i kënaqur që Kosova u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të BE-së për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ka shpallur sanksione, dhe me një rezolutë të veçantë në Kuvend ka dënuar këtë agresion.

(Kosova Sot Online)