Memli Krasniqi blen edhe NFT, kjo është pasuria e tij

  • E.K /
  • 14 June 2022 - 14:02
Memli Krasniqi blen edhe NFT, kjo është pasuria e tij

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar pasurinë që e posedon në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, Krasniqi ka deklaruar se posedon një apartment me sipërfaqe 110 metra katrorë, që thotë se kushton 110 mijë euro. Këtë apartment, ai ka deklaruar se e ka blerë nga shitja e apartamentit paraprak dhe kursimet.

Përveç këtij apartment, ai ka deklaruar edhe një shtëpi në vlerë 160 mijë euro, që thotë se është në pronësi të përbashkët.

Tek pasuritë e luajtshme, ai ka deklaruar një bibiliotekë personale në vlerë 13 mijë euro, piktura dhe vepra arti në vlerë 6 mijë e 500 euro dhe një veturë të bashkëshortes në vlerë 22 mijë e 500 euro.

Shuma e parave të gatshme që ka nëpër banka sillet rreth 11 mijë e 600 euro, derisa ka borxhe në vlerë rreth 118 mijë euro.

Të hyrat vjetore të Krasniqit sillen rreth 21 mijë e 600 euro, të cilat i merr nga Kuvendi i Kosovës.

Në fund të deklarimit, Krasniqi ka treguar se posedon edhe disa lloje të kriptovalutave, ku shihet se ai ka investuar edhe në NFT.

Çfarë janë NFT?

Kriptovalutat si Bitcoin dhe Ethereum, kanë kontribuuar në krijimin e aseteve digjitale. Një prej këtyre aseteve është edhe NFT.

Akronimi NFT, i cili ka marrë famë në botën financiare po aq sa në skenën artistike, do të thotë non-fungible token ose në gjuhën shqipe, monedha të pakëmbyeshme.

NFT-të janë njësi unike digjitale të cilat provojnë ose certifikojnë pronësinë e aseteve digjitale.

Këto njësi nuk mund të kopjohen, zëvendësohen apo të ndahen në pjesë të veçanta, dhe ato ruhen në një arkivë apo regjistër digjital të njohur si blockchain. Pra, e njëjta teknologji që qëndron prapa kriptovalutave si Bitcoin.

Me anë të këtyre NFT, një vepër arti digjitale apo edhe thjesht një foto, madje edhe një artikull apo pjesë muzikore, kthehet në një vepër autentike, që ka një autorësi dhe detyrimisht edhe një autor.

Mijëra NFT shiten çdo ditë. Njësoj si në rastin e ankandeve të veprave tradicionale, sa më e rrallë të jetë vepra, aq më i lartë çmimi.

(Kosova Sot Online)