I dehur dhe me fëmijë në makinë, shoferi nuk i bindet policisë

  • E.K /
  • 15 June 2022 - 08:27
I dehur dhe me fëmijë në makinë, shoferi nuk i bindet policisë

Një incident ka ndodhur ditën e sotme në Tiranë, ku një person i cili drejtonte makinën në gjendje të dehur, nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar. Sipas uniformave blu, shtetasi me iniciale A.D. udhëtonte me një fëmijë 5-vjeçar, pa rrip sigurimi.

Ai është ndaluar fillimisht në Rrugën Bardhyl në kryeqytet, ku refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit dhe është larguar me automjet.

Policia i është vënë nga pas dhe në rrugën “4 dëshmorët” bënë të mundur ndalimin e tij, ku për herë të dytë, ai refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë po vijojnë kontrollet e dedikura, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të kodit rrugor, që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë Rugore kanë ndaluar në Rrugën Bardhyl automjetin tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin A. D., pasi është konstatuar që mbante  në vendin e parë të mjetit, një fëmijë pa sisteme fiksimi, duke qenë në shkelje të rëndë të Kodit Rrugor.

Gjatë kontrollit policor, në  komunikimin me efektivët, drejtuesi i mjetit ka shfaqur shenja të përdorimit të alkoolit. Pasi i është kërkuar që të kryejë testin e alkoolit, ai ka refuzuar dhe është larguar menjëherë me mjet, me shpejtësi, dhe për këtë arsye, punonjësit e Policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe në rrugën “4 Dëshmorët” kanë bërë ndalimin e tij.

Drejtuesi i mjetit sërish ka refuzuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit dhe pas këtij kundërshtimi të dytë është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, ku edhe në ambientet e Komisariatit ka refuzuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit.

Gjatë shoqërimit për në Komisariat të drejtuesit të mjetit, janë njoftuar familjarët e fëmijës 5-vjeçar, i cili është marrë më pas nga nëna e tij.

Pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se shtetasi A. D. drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.86 mg/l.

Përveç ndëshkimit për shkeljet rrugore, ku i është pezulluar leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbtritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe u  ndëshkrua me masë administrative me 30.000 lekë të rinj.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit për veprat penale të “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

(Kosova Sot Online)