Shikojeni dhe befasohuni me pasurin e ambasadorit Martin Berishaj i përfolur se morri 600 mijë euro nga GEN-i

  • E.K /
  • 15 June 2022 - 12:20
Shikojeni dhe befasohuni me pasurin e ambasadorit Martin Berishaj i përfolur se morri 600 mijë euro nga GEN-i

-Në mesin e deklarimeve të pasurisë së zyrtarëve të lartë, figuron edhe deklarimi i pasurisë së Martin Berishajt, ambasadori i Kosovës në Kroaci. Ai në formularin e tij ka raportuar se gjithsej ka pasuri të paluajtshme 382 mijë euro, përfshirë këtu dy banesa, një shtëpi dhe një tokë. Ambasadori Berishaj ka deklaruar në AKK se ka dy banesa në vlerë 230 mijë euro. Sipas formularit të publikuar, ambasadori ka deklaruar se banesën e parë me sipërfaqe 92 m2 e ka blerë në vitin 2001 me të hyra dhe kursime të përbashkëta familjare, të cilën e ka nën pronësi të përbashkët. Sipas raportit të AKK-së, banesë e dytë me të njëjtën sipërfaqe tokësore, Berishaj e ka blerë në 2006 me kursime për vetëm 50 mijë euro.

Edhe këtë banesë ai e ka deklaruar nën pronësi të përbashkët. Berishaj gjithashtu ka një shtëpi, të cilën e ka deklaruar si trashëgimi nga prindërit e cila ka vlerën 72 mijë euro. Sipërfaqja tokësore e kësaj shtëpie, të cilën e ka nën pronësi të përbashkët, është 170 m2. Ambasadori i Kosovës në Kroaci po ashtu ka edhe një tokë me sipërfaqe 62 mijë m2, për të cilën ka thënë se e ka trashëgimi nga prindërit, e cila kap vlerën e 80 mijë eurove. Sa i përket pasurisë së luajtshme, Ambasadori Berishaj ka deklaruar dy vetura, një veturë në emrin e tij dhe një nën pronësinë e bashkëshortes, që të dyja në vlerë 57 mijë euro.

Vetura Mercedes E 220, është deklaruar se është e Ambasadorit dhe është e blerë për 15 mijë euro me kursime. Ndërsa, vetura Audi 8, e cila është nën pronësinë e bashkëshortes, e që po ashtu është blerë nga kursimet, kap vlerën prej 42 mijë euro.

Ambasadori Berisha së bashku me bashkëshorten kanë 25 mijë euro para të gatshme të mbajtura në institucione financiare në Lubjana. Sipas raportit të AKK-së, Berishaj ka 15 mijë euro, ndërsa bashkëshortja e tij 10 mijë euro.

Paga e Ambasadorit, të cilën e merr nga Ministria e Punëve të Jashtme është gjithsej 39 mijë e 936 euro, ndërsa paga e bashkëshortes së tij është 24 mijë euro. Deklarimi i pasurisë nga ana e Berishajt është bërë më 29 mars 2022, sipas obligimit ligjor dhe afatit të përcaktuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit. Ndryshe, sikur që dihet, pas më pak se një muaj, pra më 21 prill 2022, mediumi slloven “Planet TV” pati raportuar për një aferë financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, të titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme. Berishaj supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. Aambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kishte mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para ‘kash” rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

(Kosova Sot Online)