Rama në “Politico” për qëndrimin serb pro Rusisë: Duhet ta kuptoni Serbinë

  • E.K /
  • 15 June 2022 - 13:11
Rama në “Politico” për qëndrimin serb pro Rusisë: Duhet ta kuptoni Serbinë

“Politico” shkruan se lufta e Rusisë i ka theksuar dallimet në Ballkanin Perëndimor, gjersa citon kryeministrin Edi Rama të ketë thënë se Serbia duhet të kuptohet për pozicionin që mban pro Rusisë.

Edhe pse Serbia dhe Shqipëria përgjatë dekadave kanë qenë rregullisht në përplasje, Rama bën thirrje që të ketë mirëkuptim në pozicionin e Beogradit, shkruan “Politico”.

Serbia është i vetmi shtet në Evropë, nëse përjashtohet Bjellorusia, që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, e cila ka hyrë me forcë në territorin e Ukrainës, në shkurt.

Kryeministri i Shqipërisë, i cili njihet për rregullimin e raporteve mes shtetit të tij dhe Serbisë, që kanë Kosovën në mes, thotë se serbët duhet të kuptohen, sepse, sipas tij, janë në një pozicion të vështirë.

“Duhet ta kuptoni se Serbia është në një pozicion shumë më ndryshe se të tjerët, për shkak të lidhjeve historike dhe të veçanta me Rusinë”, ka thënë ai.

Ai tutje citohet të ketë thënë se ka besuar se Serbia do të duhej t’i vendoste sanksione Rusisë, por thotë se nuk duhet t’i bëhet asaj shumë presion.

“T’u kërkosh atyre që të shkojnë në atë pikë, menjëherë, është praktikisht e pamundur. Është vetëvrasëse për ekonominë e tyre”, ka thënë Rama.

“Ne duhet ndonjëherë të krah tjerëve dhe të kuptojmë çfarë po ndodhë, përndryshe ne s’mund ta mbajmë komunitetin të bashkuar për qëllime më të larta dhe më të mira”, thotë kryeministri shqiptar.

Rama tutje ka thënë se beson se “Serbia është në rrugë të mirë”.

Kryeministri i Shqipërisë thotë se Serbia nuk po shkon drejt kësaj rruge me shpejtësinë “që ne do ta donim e do të na pëlqente”. Por, thotë se skenarët e tjera do të ishin shumë të këqija, sidomos për rajonin. 

(Kosova Sot Online)