Ministri milioner i shëndetësisë Rifat Latifi nuk e ka deklaruar pagën si ministër, pasuria e tij milionëshe me prejardhje nga Amerika

  • E.K /
  • 16 June 2022 - 11:18
Ministri milioner i shëndetësisë Rifat Latifi nuk e ka deklaruar pagën si ministër, pasuria e tij milionëshe me prejardhje nga Amerika

-Në mesin e anëtarëve të kabinetit qeveritar, milioner në deklarimin e pasurisë, është edhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili është emëruar në krye të këtij dikasteri në muajin nëntor të vitit të kaluar. Ai ka deklaruar pasuri milionëshe në Agjencinë kundër Korrupsion. Latifi ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) se ka 1 milion dollarë kursime në Shtete e Bashkuara të Amerikës nga punësimet në Virginia, Arizona dhe New York. Latifi gjithashtu ka deklaruar se ka 4 vetura, të cilat kapin vlerën 138 mijë euro.

 Ministri i Shëndetësisë gjithashtu ka deklaruar se ka tokë në siperfaqe prej 215 ari në zonën kadastrale të Graçanicës, e cila është blerë nga investimet e bëra gjatë viteve 2008-2012, me vlerë të sotme 1.5 milion euro. Sipas deklarimit të Latifit, kjo tokë, e cila është në pronësi të motrës së ministrit, është blerë me kursime nga puna e Latifit në SHBA dhe në Doha, Katar. Latifi ka deklaruar se ka 100 dollarë para të gatshme në bankën e Amerikës, kurse është pronar edhe i tre shtëpive në Amerikë, dy nga të cilat janë shtëpi pushimesh.

Vlera e shtëpisë në Amerikë me madhësi 1,600 metra katorë është 1.5 milion euro, kurse vlera e dy shtëpive të pushimeve po ashtu kap shumën mbi 1 milion euroshe. Gjithashtu ka deklaruar se ka banesë 130,000.00 euroshe si dhe tokë në vlerë 30 mijë euro. Latifi gjithashtu ka treguar se është në tri kredi kurse në të hyrat vjetore nuk ka deklaruar asnjë lloj të hyre. Latifi, te të hyrat nuk ka deklaruar as pagën si Ministër i Shëndetësisë. 

(Kosova Sot Online)