"Sharje me nanë" e këputje e mikrofonit në Kuvend - Ditë me tensione

  • E.K /
  • 16 June 2022 - 11:35

Veteranët e OVL-UÇK-së po protestojnë duke kërkuar nga qeveria që të përfshihen në ligjin e pagës minimale, kategori kjo që është përjashtuar nga ligji.

"Lluga" e krijuar në protestën e mbajtur jashtë objektit të Kuvendit të Kosoves fillimisht krijoi përshtypjen se brenda Kuvendit do të ishte qetë. Por, nuk ndodhi kështu.

Pasi fillimisht deputeti i VV-së, Gani Krasniqi, i revoltuar iu drejtuar ish-kryeministrit Ramush Haradniaj se "nuk ta kemi borxh me na sha" - ishte pastaj deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila "shpërtheu" në akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti.

"Marre", "dil kryeministër", ishin fjalët bazë të reagimit të saj.

Nuk përfundoi me kaq...

Deputetët e opozitës e kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, teksa fjalën e mori deputetja e VV-së, Arbëresha Fazliu.

Gjatë bllokimit të foltores së kuvendit, shefi i grupit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka tërhequr me forcë mikrofonin e foltores, duke pamundësuar që aty të mbahen fjalime.

Kjo bëri qe seanca të ndërpritet, deri në një vendim tjetër.

(Kosova Sot Online)