Ambasadori i Kosovës në ShBA para “kolapsit” financiar, i ngarkuar me borxhe 200 mijë euro

  • E.K /
  • 16 June 2022 - 11:40
Ambasadori i Kosovës në ShBA para “kolapsit” financiar, i ngarkuar me borxhe 200 mijë euro

-Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara në Amerikë, Ilir Dugolli, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion se ka borxhe te personat fizik mbi 200 mijë euro. 156,000.00 euro borxh, Ambasadori Dugolli i ka deklaruar se i ka marrë hua për blerjen e një banese. Këtë borxh ai thotë se e ka marrë për ta paguar për 25 vite. Po ashtu, Ambasadori Dugolli i ka borxhe dhe një personi tjetër 44 mijë euro, të cilat i ka marrë si paradhënie për blerjen e një banese.Po ashtu ka deklaruar edhe 12 mijë euro tjera hua, por nuk ka dhënë informacione se për çfarë arsye. Sipas deklarimit të bërë në AKK, bashkëshortja e tij ka blerë një piano në vlerë 10 mijë euro në vitin 2022, ndërsa posedon edhe një piano tjetër që nga viti 2005 të cilën e vlerëson 17 mijë euro.

Dugolli ka deklaruar në se posedon dy prona të paluajtshme, dy banesa, njërën prej të cilave e ka blerë në vitin 2021 e cila ka vlerë 200 mijë euro. Banesa tjetër e deklaruar është blerë në vitin 2007-të, e cila sipas tij, aktualisht ka vlerë 60 mijë euro. Paga vjetore e Dugollit kap vlerën 44 mijë e 28 euro, kurse ka deklaruar se ka 46 mijë e 670 euro para të gatshme në 5 banka brenda dhe jashtë Kosovës, në emër të tij, të bashkëshortes e të fëmijëve të tij.Ilir Dugolli është emëruar ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin nëntor të vitit të kaluar. Dugolli para se të emërohej ambasador në Amerikë, kishte qenë ambasador i Kosovës në Turqi, që mbulonte edhe Jordaninë, Pakistanin dhe Afganistanin.

(Kosova Sot Online)