‘Xhenin e kanë mbytur’/ Zhduket në mënyrë misterioze valltarja që punonte në Pejë, familjarët qe një muaj s’dinë gjë për të

  • G.G /
  • 17 June 2022 - 11:46
‘Xhenin e kanë mbytur’/ Zhduket në mënyrë misterioze valltarja që punonte në Pejë, familjarët qe një muaj s’dinë gjë për të

Konxhe Ramazani nga Elbasani, e njohur me emrin Xheni, tash e sa vite punonte si valltare në një klub nate në qytetin e Pejës. Por që nga 19 maji, ajo rezulton e humbur, pasi që u zhduk pa lënë gjurmë, teksa në banesë mbetën dy fëmijët e saj të mitur.

Vajza e Xhenit ka rrëfyer se në mbrëmjen e 19 majit, nëna e saj u nis për punë, por nuk u kthye më në shtëpi. Sipas saj, ajo i ka shkruar në rrjetin social Snapchat, duke e njoftuar se është në Itali dhe se duhet të merrte vëllain e saj e të shkonte në Shqipëri te gjyshja.

Por vajza e saj pohon se është dikush tjetër që ka folur në emrin e nënës së saj dhe po përdor telefonin personal të Xhenit.

Ndërsa nëna e valltares ka treguar se për zhdukjen e vajzës së saj e ka mësuar nga mbesa, pra vajza  e Xhenit.

“Humbjen e Xhenit e mësova nga mbesa. Ajo më telefonoi dhe më tha nëna ka ikur dhe jemi vetëm. U nisa menjëherë tek ata. Qëndrova pak ditë në Pejë dhe pas denoncimit në polici erdha me fëmijët në Elbasan. Disa ditë më vonë jam tronditur edhe më shumë, kur dikush me solli një audio ku dëgjohej të thuhej: ‘Edhe këtej gati e kanë marrë vesh krejt se kanë mbyt diku Xhenin…”, u shpreh nëna.

E bija e Konxhe Ramazanit, rrëfen mes lotësh si u nda me nënën mbrëmjen e 19 majit dhe mesazhi i fundit që ajo i dërgoi.

“Atë natë, si zakonisht, nëna u nis për në punë, pasi ajo punonte vetëm natën. E prita deri të nesërmen në mëngjes, por ajo nuk erdhi. I shkruajta më datë 20 maj, në “snapchat” por nuk me ktheu përgjigje. Pasi kaluan më shumë se 24-orë nga largimi i saj më mbërrin një mesazh nga mami, sikur ndodhej në Itali dhe unë duhet të telefonoja gjyshen qe ajo të vinte të na merrte.

Nisa të dyshoja dhe u trondita. E kuptova që nuk ishte nëna ime, pasi ajo nuk shkruante në atë mënyrë. Nisa të qaja dhe e fajësoja që na braktisi, por e kuptova që nuk ishte ajo, por dikush tjetër përdorte telefonin e saj”, u shpreh e bija në Report TV.

Pas dy ditëve, pa ushqim dhe të trembur, motër dhe vëlla telefonojnë gjyshen për ndihmë. Ndërsa e bija tregon gjatë intervistës se nisi të provokonte personin që shkruante në emrin e nënës së saj.

“Pasi e kuptova që nuk ishte nëna ime, nisa të bëja provokime duke i thënë se kishim ngelur rrugëve, por nuk reagoi, gjë të cilën mamaja ime nuk do e bënte, nuk do na linte rrugëve. Madje edhe kodet e rrjeteve sociale të nënës ishin ndërruar”.

(Kosova Sot Online)