E vranë dhe e hodhën në liqen, flet motra e viktimës: Vetëm qante, e kërcënonin

  • E.K /
  • 18 June 2022 - 17:42
E vranë dhe e hodhën në liqen, flet motra e viktimës: Vetëm qante, e kërcënonin

Motra e 26-vjeçarit të vrarë Martin Çeço, ka rrëfyer detaje lidhur me krimin e rëndë.

Ajo ka thënë për mediat se vëllai i saj kishte marrë kërcënime dhe se kohët e fundit kishte komunikuar vazhdimisht me të ku edhe i kishte thënë se diçka e shqetësonte, por pa i treguar se ku qëndronte problemi.

“Më merrte vazhdimisht në telefon. Më thoshte se kam një hall por nuk ma tregonte se çfarë kishte”, është shprehur motra e viktimës.

Sipas motrës së Martin Çeços, ai është kërcënuar edhe para tre ditësh, ndërsa vazhdimisht qante në telefon.

“Para tre ditësh i ka marrë kërcënimet e mbante brenda nuk më tregonte. Vetëm qante. Unë i kërkoja të më tregonte”, tha e motra.

Ndër të tjera motra është shprehur se kishte dijeni për lidhjen që vëllai i saj kishte me një vajzë, por sipas saj, nuk kishin probleme me të.

“Ishte i lidhur me një vajzë. Ishte një gocë që kishte punën në Korçë. Nuk kishte probleme të tjera. Nuk e di të ketë pasur problem me vajzën”, tha motra e viktimës.

Martin Çeço, u gjet i pajetë dy ditë më parë në rezervuarin e Kolanecit në Maliq, ndërsa rezultoi se ishte vrarë dhe më pas hedhur në ujë.

Sipas hetimeve kanë qenë 3 persona, që e kanë mbytur me litar, ndërsa prej 12 qershorit Çeço ishte shpallur i zhdukur.

Në pranga për këtë ngjarje kanë rënë Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj, ku dy të fundit janë kushërinj. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Autorët e dyshuar e kanë marrë Çeçon dhe e kanë çuar në rezervuar, ku më pas e kanë vrarë me litar dhe e hodhën trupin në ujë për ta inskenuar si vetëvrasje. 

(Kosova Sot Online)