Vela, njeriu i tretë me radhë i Presidentes që i përgjigjet Mustafës: Po na e baltos punën

  • A.P /
  • 23 June 2022 - 22:00
Vela, njeriu i tretë me radhë i Presidentes që i përgjigjet Mustafës: Po na e baltos punën

Shefi i kabinetit të Presidentes, Blerim Vela, i ka reaguar ish-kryeministrit Isa Mustafa i cili së fundi kritikoi presidenten Osmani për dështimin në liberalizim të vizave.

Mustafa në një status në Facebook ka reaguar pas samitit të sotëm që u mbajt në Bruksel. Ai tha se presidenti francez, Emmanuel Macron nuk është i vetmi që e bllokon procesin e liberalizimit, pasi sipas tij, bllokues është edhe presidentja Vjosa Osmani.

Vela ka thënë se Mustafa nuk e përballon faktin që Osmani është “zëri i qytetarëve” dhe se qytetarët e kanë pensionuar me votë Mustafën.

“Zëri i podrumeve politike, Isa Mustafa, nuk e përballon dot faktin se Presidentja Osmani është zëri i qytetarëve kur kërkon që shtetet anëtarë të BE të marrin vendime në linjë me mbështetjen deklarative të shprehur sot në Bruksel për liberalizim të vizave për qytetarët tanë. I pensionuar nga politika pas dënimit nga qytetarët me votë, ai s’ka kredibilitet të mbaj leksione. Ai kurrë s’ka pasur guximin të luftoj krimin e korrupsionin. Përkundrazi, ishte kthyer në shërbëtor politik vetëm e vetëm që të mbes në pushtet – qoftë edhe një ditë më shumë”, shkruan ai.

Tutje Vela thotë se Mustafa është “bashkëpunëtor në kapjen e shtetit” dhe se si presidencë janë të hapur për kritika por që nuk e përballojnë “baltosjen e punës së tyre”

“Andaj, sikur të kishte fytyrë shoku Isa Mustafa, sic po shprehet ai (e që nuk ka), do t’i kërkonte falje qytetarëve të Kosovës për dëmin e pariparueshem që i ka bërë vendit, si vasal i papërmirësueshem dhe shërbëtor i dëgjueshëm i kapjes së shtetit dhe korrupsionit në vend. Do të duhet shume mund e kohë për t’i riparuar dëmet e shokut Isë e shpurës së tij politike. Por, kthim prapa s’ka, përkundër zhurmës në prapavijë të ca pensionistëve politik. Të hapur ndaj debatit e kritikës, por s’mund të qëndrojmë indiferent ndaj baltosjes së punës tonë”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)