Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte

  • E.K /
  • 24 June 2022 - 10:57
Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte

Gjykatësi paraprak, Nicolas Guillou, ka marrë vendim, me anë të së cilit, ia ka vazhduar masën e paraburgimit Pjetër Shalës, i cili po akuzohet nga Zyra e Prokurorit  të Specializuar (ZPS) për krime lufte.

Kjo është bërë e ditur përmes vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Aty thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka ardhur në konkludimin se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që  Shala do të arratiset, pengojë progresi i procedurave të Dhomave të Specializuar ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që i kanë ofruar dëshmi SPO-së dhe/ose që do të paraqiten para Dhomave të Specializuara.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë./Betimipërdrejtësi/

(Kosova Sot Online)