Arifi flet pas vizitës në Hagë, citon Veselin: Dertin e Preshevës e kam sikurse dertin e Mitrovicës

  • E.K /
  • 27 June 2022 - 14:18
Arifi flet pas vizitës në Hagë, citon Veselin: Dertin e Preshevës e kam sikurse dertin e Mitrovicës

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, vizitoi ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli i cili ndodhet i paraburgosur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Sapo vizituam vëllezërit tanë këtu që padrejtësisht këtu në Hagë dhe për të theksuar respektin që kemi ne në Luginë të Preshevës për udhëheqësit e UÇK-së”, tha Arifi, pasi doli nga vizita.

Ai tha se kjo ushtri është boshti dhe themeli i UÇK-së e pa të cilën nuk do të kishim shtet.

“Konsiderojmë se ata do të lirohen shpejt e të pafajshëm dhe do të kthehen në vendlindjen e tyre”, tha Arifi.

Ai tha se është i befasuar me pozitivitetin e Veselit, Thaçit e Krasniqit.

Arifi tha se një fjali i ka mbetur në mendje.

“Ata më thanë se janë bë paraburgim, por mendojnë pozitivisht për të mirën e kombit dhe kjo më ka dhënë shumë emocione”, tha kryetari i Preshevës.

“Ish -kryeparlamentari më tha se dertin e Preshevës e kam sikurse dertin e Mitrovicës”, deklaroi Shqiprim Arifi, duke cituar fjalët e Kadri Veselit.

Vizita e Arifit nuk është e vetmja që kohëve të fundit u janë bërë të paraburgosurve në Hagë.

Ditë më parë ata i vizitoi edhe Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës e para tij edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

(Kosova Sot Online)