Nota pozitive për ligjin Vetting nga Komisioni i Venecias ka krijuar trauma të frikshme dhe tërmet në sistemin e kalbur të drejtësisë

Nota pozitive për ligjin Vetting nga Komisioni i Venecias ka krijuar trauma të frikshme dhe tërmet në sistemin e kalbur të drejtësisë

Gani Qarri

  • 27 June 2022 - 07:25

Shkruan:ANALISTI - Gani Qarri

Po duket se Vetting-u, qysh në ardhje, ka filluar të ndikojë menjëherë dhe tepër fuqishëm në hallka të caktuara të sistemit të drejtësisë, vetëm me mbështetjen që ka marr nga Komisioni i Venecias, përfaqësitë diplomatike në Kosovë dhe mekanizmat ndërkombëtar, ende pa marrë miratimin në Kuvend.

-Fenomeni i mos ndëshkueshmërisë, që tash e gati dy dekada përcjellë Kosovën,kur për korrupsion dhe krim të organizuar, akuzohen zyrtar të profilit të lartë, nuk është më vetëm perceptim por edhe fakt i bazuar, që ka zënë vend edhe në Indeksin e Korrupsionit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International”, ku Republika e Kosovës prezantohet në grupin e vendeve me nivelin më të lartë të korrupsionit. Sikur mos të mjaftonte as kjo,vlerësimi negativ për “drejtësinë” e kalbur të Kosovës, është referuar, jo vetëm njëherë edhe në gjetjet e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), ku thuhet qartë, se Kosova nuk ka bërë luftë të mjaftueshme efektive dhe nuk ka vullnet për veprim kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

Po duket se Vetting-u, qysh në ardhje, ka filluar të ndikojë menjëherë dhe tepër fuqishëm në hallka të caktuara të sistemit të drejtësisë, vetëm me mbështetjen që ka marr nga Komisioni i Venecias, përfaqësitë diplomatike në Kosovë dhe mekanizmat ndërkombëtar, ende pa marrë miratimin në Kuvend. Dhe ky është një sinjal shumë i mirë, për fillim të mbarë, pas më tepër se dy dekadave kaos e parregullsi totale në drejtësi dhe sistemin e kapur gjyqësor e prokurorial të Kosovës. Këtë e dëshmojnë edhe vendimet më të reja ligjore që po shqiptohen krejt ndryshe, së fundi nga gjyqësori i Kosovës, kundër rasteve të krimit dhe korrupsionit, nga frika e ballafaqimit dhe ndëshkimit me goditjen e VETTING-ut. Një vendim i tillë i drejtë e meritor është marrë këto ditë edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës e cila ka refuzuar kërkesat për mbrojtje ndaj katërmbëdhjetë policëve të njësisë rajonale të trafikut të dënuar për korrupsion dhe marrje të ryshfetit. Në fakt korrupsioni në radhët e policisë, edhe pse ende nuk ka marr përmasa skajshmërisht alarmuese, është fenomen i kapur në flagrancë kundër të përfshirëve në këtë abuzim me ligjin dhe detyrën zyrtare, me ç`rast është vepruar menjëherë me ndalimin e policëve të akuzuar me fakte, të cilëve u janë ngritur edhe kallëzimet penale dhe janë dënuar, kurse ndaj të tjerëve, janë duke vazhduar procedurat hetimore.

Fatkeqësisht duket se këtu, bëhet fjalë për një mega aferë korruptive në radhët e policisë së Kosovës, ndaj Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të katërmbëdhjetë policëve të dënuar, për secilin veç e veç, ka vendosur masat përkatëse dënuese të bazuara në ligj, për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit në vazhdimësi, duke i refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtësve të të dënuarve, për mbrojtje të ligjshmërisë dhe kërkesat e të dënuarve të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Në interpretimin e supremes thuhet se Gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar se nga orari ditor i punës i Drejtorisë Rajonale të Policisë dhe Raporti i patrullës së Njësisë Rajonale të trafikut, të dënuarit, pasi që kanë ndaluar drejtuesit e veturave dhe kanë komunikuar me ta u kanë shpjeguar në vazhdimësi kundërvajtjen e kryer, si dhe dënimin i cili mund t’u shqiptohet, me qëllim që ndaj drejtuesve kundërvajtës të mos shqiptojnë tiketa, përkatësisht dënime për kundërvajtje, por të marrin ryshfet, nga ata, raste me të cilat në mënyrë të qartë është specifikuar data dhe koha kur të dënuarit kanë marrë shumat e parave.

Kështu që Gjykata Supreme, me të drejtë vlerëson se gjykata e shkallës së parë me rastin e shqiptimit të dënimit ka zbatuar drejt dhe si duhet edhe dispozitat e ligjit penal duke iu shqiptuar dënime të akuzuarve brenda kornizës së përcaktuar ligjore për këto vepra penale, prandaj bazuar në dispozitën e nenit 428 par.1 të KPRK-së, përveç dënimit me burg është përfshirë edhe suspendimi nga puna dhe ndalimi i ushtrimit të detyrës në Policinë e Kosovës për të akuzuarit. Vet kjo formë e re, e ndëshkimit të krimit brenda institucioneve zbatuese të ligjit, është një refleksion që flet qartë mbi ndikimin e madh të Vetting-ut në ardhje, tek institucionet e drejtësisë për shkëputje nga lidhja me rrjetet e krimit të organizuar, për shkak të përafrimit të procesit të VETTING-ut dhe reformave në drejtësi, me të cilat do të bëhet filtrimi i secilit individ dhe zyrtar shtetëror sipas sjelljes dhe veprimit në zbatimin e ligjit.

Për aq më tepër, pas ardhjes së mbështetjes nga Komisioni i Venecias, Ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu është zotuar se do ta dërgojë me procedurë të përshpejtuar, Vetting-un për votim në Kuvend, madje edhe para pushimeve të verës, për ta kaluar, debatuar dhe miratuar, sa më parë, në mënyrë që nga vjeshta e këtij viti, të filloi edhe zbatimi i tij në të gjitha institucionet, me theks të veçantë në drejtësi dhe organet ligj zbatuese gjithandej Republikës së Kosovën.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".