PS depoziton në Kuvend rezolutën për Srebrenicën

  • E.K /
  • 30 June 2022 - 12:01
PS depoziton në Kuvend rezolutën për Srebrenicën

PS ka depozituar në Kuvend rezolutën për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të genocidit në Srebrenicë.

Draft rezoluta “për kujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë” është paraqitur nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në të thuhet se nëse miratohet, “Kuvendi Konfirmon qëndrimin e Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, nxit fenomenin e pandëshkueshmërisë ndaj krimeve të luftës si dhe shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarave dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj rreth 10 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë dhe 20 mijë grave të dhunuara nga regjimi serb i Slobodan Miloshevicit”.

Po ashtu shtohet se, “Dënon fuqimisht çdo prirje dhe veprim për të mohuar publikisht me qëllim ose jo,  gjenocidin e kryer në Srebenicë, fshehjen e motiveve, lavdimin e autorëve, ideatorëve dhe mbështetësve të këtij gjenocidi, si dhe konsideron të papranueshme e tejet të rrezikshme vazhdimin dhe përshkallëzimin e retorikës politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike si pasojë e mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, masakrave dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit kryer në të gjithë hapësirën e  ish Jugosllavisë nga disa individë, grupime, e aktorë politikë e mediatikë brenda e jashtë rajonit të Ballkanit”.

Me miratimin e kësaj rezolute javën e ardhshme ,më 7 korrik, 11 korriku do të shpallet Dita e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Rezoluta e depozituar nga Partia Demokratike më herët u rrëzuan nga maxhoranca socialiste e cila argumentoi se nuk do të firmosë asnjë dokument që mban firmën e Sali Berishës.

(Kosova Sot Online)