“Brenda 48 orëve Sveçla në Bruksel”, Kurti reagon rreth takimit për vizat

  • E.K /
  • 01 July 2022 - 10:30
“Brenda 48 orëve Sveçla në Bruksel”, Kurti reagon rreth takimit për vizat

Mospërmendja në Këshillin e Europian dhe deklarata e Oliver Varhelyi për një udhërrëfyes për vizat që do të adresonte çështjet specifike ka vënë në alarm institucionet kosovare. Pas këtyre zhvillimeve, në një konferencë për media kreu i Qeverisë, Albin Kurti, kishte treguar se brenda 48 orëve do ta çojë Xhelal Sveçlën në Bruksel për të biseduar rreth liberalizimit me komisioneren Ylva Johansson.

Komisioni Europian vazhdon të mbështesë qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave të përcaktuara në udhërrëfyes.

Këtë i tha ministrit të Brendshëm kosovar, Xhelal Sveçla, komisonerja europiane për Punë të Brendshme, Ylva Johansson, e cila është takuar dje në Bruksel me Sveçlën.

Për këtë deklaratë të Johansson është treguar mirënjohës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se mezi pret që të punojë me të për ta bërë realitet liberalizimin e vizave, shkruan Gazeta Express.

“Shumë mirënjohës ndaj Komisionit Europian dhe Komisionerës Ylva Johansson për rikonfirmimin për përmbushjen tonë të të gjitha standardeve të liberalizimit të vizave, duke përfshirë luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Mezi pres të punojmë me ju për ta bërë realitet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Për takimin me Sveçlën me deklaratë doli edhe Johansson, e cila e ka përgëzuar atë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Në takimin me ministrin Xhelal Sveçla. E përgëzova për përpjekjet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka shkruar Johansson. Komisioni Evropian vazhdon të qëndrojë në vlerësimin e saj se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave të përcaktuara në Udhërrëfyes”, ka shkruar Johansson në Twitter.

(Kosova Sot Online)