Kurti: Historia e familjes Jashari duhet të rrëfehet ashtu si e meriton, me dinjitet dhe me krenari

  • E.K /
  • 02 July 2022 - 17:20
Kurti: Historia e familjes Jashari duhet të rrëfehet ashtu si e meriton, me dinjitet dhe me krenari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se familja Jashari duhet të rrëfehet ashtu siç e meriton, me dinjitet e krenari. Ai këto deklarata i bëri në mbledhjen e pestë të Komitetit ndër-ministror, për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kështu është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, ku thuhet se përgjatë kësaj mbledhjeje u prezantua dhe u diskutuan rezultatet e hulumtimit shumë-sektorial për konceptin, vizionin dhe bazat e Master Planit për kompleksin e Jasharëve.

“Gjatë vitit të kaluar kemi ndërmarrë hapa për t’u siguruar që të konsolidohet gjendja fizike e ndërtesave në Kompleks dhe përmes vlerësimeve profesionale dhe ndërhyrjeve emergjente të realizuara, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda kompleksit është përmirësuar”, është shprehur Kurti.

“Dhe ky prezantim sot, është vetëm hapi i parë i fazës që na pret në vijim, e ajo është shpallja e konkursit për hartim të Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Projekt ky, i cili do të jetësojë vizionin e përbashkët drejt përfaqësimit dhe prezantimit të historisë heroike, të sakrificave dhe kontributin jetësor të Familjes Jashari për çlirimin dhe pavarësinë e vendit tonë”, deklaroi ndër të tjera ai.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit patën nisur këtë vit punimet fillestare për restaurimin e objekteve brenda Kompleksit Memorial “Ademi Jashari” në Prekaz të Skenderajt.

MKRS ndau në fillim të vitit mbi 45 mijë euro për restaurimet emergjente brenda kompleksit të Jasharëve.

(Kosova Sot Online)