Lushtaku: Djali dhe vëllai im janë dorëzuar në Stacion të Policisë në Prishtinë

  • E.K /
  • 04 July 2022 - 07:47
Lushtaku: Djali dhe vëllai im janë dorëzuar në Stacion të Policisë në Prishtinë

Arbër Lushtaku, djali i Nuredin Lushtakut bashkë me xhaxhain e tij Arif Lushtakun (vëllai i Nuredin Lushtakut) janë dorëzuar në stacionin e Policisë në Prishtinë.

Kështu ka thënë për SHQIP.com, vetë Lushtaku, duke shuar raportimet në media se djali dhe vëllai i tij janë arratisur në Shqipëri.

“Kjo informatë nuk është e saktë. Vëllai dhe djali im janë dorëzuar në stacionin policor në Prishtinë” – tha ai duke u treguar i rezervuar për të dhënë detaje tjera rreth dorëzimit të tyre.

Megjithatë, nga Policia e Kosovës ende nuk ka ndonjë konfirmin rreth dorëzimit të tyre.

Në mesnatën e 2 korrikut, ka ndodhur një përleshje fizike në Skenderaj e cila më pas ka agravuar në gjuajtje me armë zjarri e mjete të forta. Nga kjo përleshje, të plagosur kanë mbetur dy zyrtarë të Policisë të Kosovës.

Në këtë incident dyshohet të jetë i përfshirë edhe ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, duke sqaruar rrjedhën e incidentit tha se me të shqiptuar një gjobë për të birin e tij, njëri nga policët ka ushtruar dhunë fizike ndaj Arbër Lushtakut.

“Polici Enver Smakiqi pasi ka shqiptuar një gjobë ka vazhduar duke maltretuar fizikisht djalin tim Arberin. Unë kam qenë duke u kthyer në shtëpi me dy vëllezërit e mi dhe e kam parë djalin me veturë ndalur, ku jemi ndalur të shikojmë se çka është problemi. Polici Enver Smakiqi ka filluar konflikt me vëllain tim Fatonin, pastaj ky polic ka nxjerrë armën të cilën ka shkrepur dy plumba, të cilë kanë shkuar huq”.

“Por fatkeqësisht plumbi i tretë ka goditur në këmbë policin Geci. Fatoni dhe vëllezërit e mi kanë reaguar në vetëmbrojtje, ndërsa unë gjatë tërë kohës jam munduar të evitoj konfliktin. Polici Enver Smakiqi ishte jashtë kontrollës, ku për pasojë mbrëmë kemi qenë në rrezik të na vriste të gjithëve neve dhe kolegët e tij”, ka thënë Lushtaku.

(Kosova Sot Online)