Kurti e pret një delegacion nga Iowa, flasin për mundësinë e investimeve në disa sektorë

  • E.K /
  • 04 July 2022 - 15:05
Kurti e pret një delegacion nga Iowa, flasin për mundësinë e investimeve në disa sektorë

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur një delegacion nga shteti i Iowa-s, i cili po qëndron në Kosovë.

Para delegacionit të përbërë nga profesionistë të ndryshëm, ushtarakë, akademikë dhe gazetarë, Kurti shprehu mirënjohjen për partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s. Ai i falënderoi për mikpritjen gjatë vizitës zyrtare atje.

“U theksua potenciali për rritje të bashkëpunimit dhe u bisedua për krijimin e mundësive të reja për rritjen e investimeve në sektorin e energjisë, ekonomi, tregti dhe teknologji të informacionit, si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta. U vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ushtarak dhe ai në fushën civile, ndërsa u veçua bashkëpunimi ndërmjet universiteteve të të dyja vendeve”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Në takimin e përbashkët me Zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe shefin e Misionit në Konsullatën e Iowa-s, Artan Duraku, ZKM thotë se “u theksua gatishmëria e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe forcuar partneritetin, në të gjitha fushat zhvillimore”.

(Kosova Sot Online)