Lexoni edhe:
Me konsensus politik për votimin dhe zbatimin e ligjit Vetting kundër krimit në sistemin e drejtësisë
Mbrëmë në një emision është diskutuar tema e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë. Dikutimi i kësaj çështje erdhi si rezultat i plagosjes së dy policëve të shtunën në Skënderaj, ku sipas prokurorisë, i përfshirë në këtë incident është ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku bashkë me disa familjarë të tij. Plagosja e dyfishtë dyshohet se motiv kishte shqiptimin e një tikete të trafikut ndaj një familjari të Lushtakut. Por ky rast nuk është i vetmi kur policët sulmohen nga njerëz të skenës politike, kuptohet se “uniformat blu” e pësojnë shpesh herë edhe nga qytetarët.
Në studion e “Pressing”-ut u ngritën shqetësime për sulmet e herëpashershme ndaj forcave policore, ku u përmenden edhe raste kur policët janë sulmuar nga personazhe të njohura për qytetarët.
Fillimisht u përmend se si Xhelal Sveçla, i cili tani është Ministër i Punëve të Brendshme, e ka sulmuar policinë kohë më parë në protesta. Më pas shembull për të keq u mor edhe ish-deputeti Zafir Berisha, i cili së fundmi ka sulmuar dhe ofenduar policët në Prizren. Kjo pasi “Zafa” nuk ishte pajtuar me shqiptimin e një gjobë për kundërvajtje në trafik.
Në “Pressing”, u ritheksua edhe rasti kur vëllai i ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e kishte sulmuar policin në vitin 2018, kur ky i fundit e kishte ndaluar atë për kundërvajtje në trafik.
E sigurisht, kur flitet për sulmet që u janë bërë policëve ndër vite, nuk mbetet pa u përmendur rasti i rrahjes së policit nga djemtë e ish-shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci. Rasti kishte ndodhur në vitin 2013 kur djemtë e Grabovcit, ishin ndaluar për tejkalimin e shpejtësisë.
Analistja e “Pressing”-ut, Zana Avdiu, tha se Policia e Kosovës sulmohet shpesh herë, jo vetëm nga figura të njohura, por edhe nga qytetarët.
Për rastin e plagosjes së dy policëve në Skënderaj ajo u shpreh: “Në këtë rast është sulmuar shteti i Kosovës, policia e Kosovës dhe uniforma e saj dhe e dyta u sulmua nga zyrtarët e shtetit, pavarësisht se tani nuk janë në funksion, ata dikur kanë qenë në pushtet kanë mbajtur pozita mjaftë të rëndësishme dhe kjo përcon një mesazh të keq”.
VIDEON E PLOTË TË EMISIONIT MUND TA SHIKONI DUKE KLIKUAR KËTU:
Meqenëse kjo temë u diskutua për incidentin e ndodhur në Skënderaj, ish-Drejtori i Policisë së Kosovës, tani peputet i PDK-së, Rashit Qalaj, në emision e ka komentuar rastin e marrjes së revoles së policit në një incident në Skenderaj ku ishte i përfshirë edhe ish-nënkryetari i komunës, Nuredin Lushtaku.
Sipas prokurorisë pas përleshjes që familja Lushtaku kishte pasur me zyrtarët policor, Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetari i Skenderajt, ia kishte dërguar armën e policit Enver Berisha, ish-kryetarit të komunës Bekim Jasharit e pastaj ky i fundit e kishte dorëzuar në Polici. Qalaj ka thënë se kjo është e neveritshme dhe se askush nuk guxon ta bëjë një gjë të tillë.
“Është e neveritshme. Ka mundur të ndodhë ndonjë gabim nga polici. Por kush je ti që ia merr armën policit. Cdo respekt për të kaluarën e zotëri Lushtakut. Personalisht nuk e njoh. Por kush je ti ta bësh këtë veprim”, thotë Qalaj.
“Edhe në momentin kur është kërkuar. Është dashur të shkojë të dorëzohet në polici. Realisht si guxon të marrësh armën e huaj. Kërkoj falje, por kjo nuk duhet të ndodhë. Ka ndodhur në të kaluarën por tani nuk guxojnë të ndodhin më”, shtoi ai.
Kujtojmë se ish-nënkryetarit të komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakut, dhe të pandehurve të tjerë, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
(Kosova Sot Online)