Lejohet doza e katërt e vaksinës anti-Covid në Kosovë, mund ta marrin këta persona

  • E.K /
  • 07 July 2022 - 10:21
Lejohet doza e katërt e vaksinës anti-Covid në Kosovë, mund ta marrin këta persona

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizimin e popullatës me vaksinën kundër COVID-19 për lejimin e vaksinimit me dozën e katërt të grup-moshës së popullatës mbi 60 vjeç, të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë.

Sipas MSh’së, rekomandim i Komitetit është mbështetur në rekomandimet rreth vaksinimit COVID-19 të dhëna nga organizatat kredibile ndërkombëtare si EMA dhe CDC.

“Vaksinimi bëhet në qendrat e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor në komunat e Kosovës. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve, që të vaksinohen kundër COVID-19, pa asnjë hezitim, për të parandaluar rritjen e rasteve të COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga kjo sëmundje”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, me dozën e parë, të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç, derisa me dozën e katërt, mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë.

(Kosova Sot Online)