Tërmeti politik në Britaninë e Madhe, si erdhi Johnson tek dorëheqja?

  • E.K /
  • 07 July 2022 - 11:16
Tërmeti politik në Britaninë e Madhe, si erdhi Johnson tek dorëheqja?

Pas një numri rekord të dorëheqjeve për 24 orë, presioni mbi Boris Johnsonit u shtua edhe më shumë këtë mëngjes. Më poshtë gjeni një përmbledhje se si erdhi deri te dorëzimi i Boris Johnson.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, është pajtuar të dorëhiqet, sipas një raportimi të BBC-së. Por, ai ka thënë se dëshiron të qëndrojë si Kryeministër deri në vjeshtë, kur të mund të zgjidhet lideri i ri i Konservatorëve. Sipas burimeve të mediave britanike, Kryeministri britanik ka vendosur kësisoj mëngjesin e sotëm.

Johnson, sipas zyrës së tij, pritet që t’i adresohet vendit sot.

The Guardian shkruan se pritet të bëhet një debat i fortë në Partinë Konservatore se a do të ishte me vend për Johnsonin që të qëndrojë në zyrë deri në vjeshtë. Lordi Frost, ish-ministër i Brexit-it, ka thënë se nuk beson se kjo do të ishte “e qëndrueshme”.

Dorëheqjet masive nga kabineti, që e vunë Johnsonin me shpatulla pas muri

Sekretari i Irlandës Veriore Brandon Lewis u bë i pari ministër i kabinetit të tij që këtë mëngjes njoftoi për dorëheqjen, duke thënë se gjërat ishin në një pikë pa kthim.

Ai u pasua me shpejtësi nga një sërë ministrash të tjerë të rinj.

Kancelari Nadhim Zahawi, i cili ka vetëm dy ditë që është në post, i bëri thirrje publikisht kryeministrit që “të shkojë tani”.

Menjëherë më pas, sekretarja e sapoemëruar e Arsimit, Michelle Donelan, dha dorëheqjen, duke thënë se i ishte lutur kryeministrit të jepte dorëheqjen.

Më pak se gjysmë ore më vonë, u publikua lajmi se Johnson kishte pranuar të largohej nga posti i të parit të partisë, ndërsa si kryeministër do të vazhdojë të shërbejë deri në vjeshtë.

Mbi 50 anëtarë të parlamentit kanë dhënë dorëheqjen nga qeveria e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson që nga e marta, ndërsa revolta e paprecedentë kundër liderit nga brenda partisë së tij vazhdon.

Një raport i Sky News e rrit numrin e përgjithshëm të dorëheqjeve në 57 që nga ora 9:10 e mëngjesit me orën e Londrës.

Dorëheqja e 50-të erdhi nga George Freeman, një ministër i ri për shkencën, hulumtimin dhe inovacionin, rreth orës 7:20 të mëngjesit me orën e Londrës. Ministri i Pensioneve Guy Opperman dha dorëheqjen pak më vonë.

Udhëheqësi konservator u përball ditët e fundit u përball me një presion të jashtëzakonshëm nga besnikët e tij. Reagimi i tij i parë ishte shkarkimi i Sekretarit të Komuniteteve, Michael Gove, i cili ishte i pari që i tha atij se duhet të jepte dorëheqjen për të mirën e partisë dhe vendit.

Sipas raportimeve të BBC, Johnson do të japë dorëheqjen sot gjatë ditës dhe se do t’i drejtohet vendit përmes një deklarate. 

(Kosova Sot Online)