Pse Japonia ka shumë pak raste të sulmeve me armë?

  • E.K /
  • 08 July 2022 - 15:33
Pse Japonia ka shumë pak raste të sulmeve me armë?

Japonia ka pothuajse zero tolerancë ndaj posedimit të armëve, që e bën atë vendin me nivelin më të ulët të sulmeve me armë në botë.

Sulmi i sotëm ndaj ish-kryeministrit Shinzo Abe, nga ku ky i fundit mbeti i vdekur, tronditi popullin japonez.

Një ligj i pasluftës i vitit 1958 për posedimin e shpatave dhe armëve të zjarrit thotë: “Askush nuk duhet të posedojë armë zjarri ose shpata”.

Rruga drejt zotërimit të armëve në Japoni kërkon 13 hapa.

Së pari, pronarët e mundshëm të armëve duhet të bashkohen në një klub gjuetie ose qitjeje, dhe më pas ata duhet të marrin pjesë në një klasë për armë zjarri dhe të kalojnë një provim me shkrim, para se të marrin një mjek për të deklaruar se janë të aftë mendërisht dhe nuk kanë histori të varësisë nga droga.

Më pas, ata duhet të aplikojnë për të marrë një kurs të plotë ditor se si të gjuajnë një armë dhe ta ruajnë atë në mënyrë të sigurt. Më pas, policia interviston pronarët e mundshëm të armëve se pse duan një armë zjarri dhe kryen një kontroll të plotë të historikut që përfshin intervistimin e anëtarëve të familjes së personit, marrëdhëniet e tyre me fqinjët, historinë e punësimit dhe gjendjen e tyre financiare.

Nëse kalojnë, atëherë mund të aplikojnë për një leje dhe të marrin një certifikatë nga një tregtar se çfarë lloj arme duan. Më pas ata duhet të blejnë një dollap municioni dhe kasafortë armësh, të cilat inspektohen nga policia, e cila më pas bën një tjetër kontroll të historisë.

Ndër përjashtimet e pakta janë pushkët për gjueti dhe sport. Edhe atëherë, pronarët e mundshëm duhet të ndjekin mësimet dhe të kalojnë provimet me shkrim dhe praktike. Më pas ata duhet t’i nënshtrohen vlerësimeve psikologjike për të përcaktuar se janë të aftë për të zotëruar një armë zjarri. Kontrollet e historisë nga policia janë rraskapitëse, dhe madje përfshijnë marrjen në pyetje të të afërmve të pronarëve të armëve.

Sipas policisë, ka pasur 21 arrestime për përdorim të armëve të zjarrit në vitin 2020, 12 prej tyre të lidhura me bandat, raporton Guardian.

Ka pasur gjashtë vdekje të raportuara me armë në Japoni në vitin 2014, dhe numri rrallë kalon 10, në një vend me 126 milionë banorë. Në vitin 2006, vetëm dy persona u vranë në sulme me armë.

Një raport i vitit 2022 nga Universiteti i Uashingtonit tregoi se teksa ShBA kishte më shumë se katër vrasje me armë zjarri për 100,000 kokë banori në vitin 2019, Japonia kishte pothuajse zero.

Në vitin 2013, vendi arriti një rekord të lartë për krimin me armë, me 40 raste kriminale të gjuajtjes me armë, por ka ndjekur një trend në rënie që nga ajo kohë.

(Kosova Sot Online)