”Europa Nostra” nuk ndërron qëndrim, Manastiri i Deçanit mbetet i rrezikuar

  • E.K /
  • 13 July 2022 - 14:42
”Europa Nostra” nuk ndërron qëndrim, Manastiri i Deçanit mbetet i rrezikuar

Organizata ”Europa Nostra” ka dalur me një njoftim, teksa jep detaje për vizitën e delegacionit të saj gjatë vizitës që patën javën e kaluar në Kosovë.

Ky delegacion siç raportoi ditë më parë edhe Klan Kosova, pati zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të autoriteteve të Kosovës.

Çështja kryesore e diskutuar me bashkëbisedues të ndryshëm, siç theksohet në njoftim, ishte përfshirja e Manastirit Ortodoks të Deçanit, në Listën e 7 vendeve më të Rrezikuara në Evropë për vitin 2021, si dhe opsionet për përmirësimin e situatës.

Sipas ”Europa Nostra” arsyet kryesore për përfshirjen e këtij Vendi të Trashëgimisë Botërore në Rrezik edhe në Listën e 7 vendeve më të rrezikuara, mbesin të vlefshme, dhe për këtë qëndrim renditin disa aryse:

”Së pari, ende nuk është rënë dakord nga të gjitha palët për një zgjidhje përfundimtare lidhur me pasojat e shkaktuara nga planet për rritjen e trafikut brenda dhe rreth Zonës së Veçantë Mbrojtëse të Manastirit të Deçanit, e as në lidhje me ndërhyrjet e tjera të paralajmëruara, siç është projekti buzë lumit, që mund të ndikojnë negativisht në mjedisin natyror të Manastirit i cili do të konsiderohet si pjesë përbërëse e vlerës së tij të jashtëzakonshme të trashëgimisë”.

”Së dyti, vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit në 24 hektarë tokë ende nuk është zbatuar përmes regjistrimit ligjor të tokës së Manastirit, gjë që cenon sundimin e ligjit dhe sigurinë juridike të këtij Manastiri të gjallë me rrethinën e tij. Toke”.

”Së treti, për shkak të sfidave komplekse të sigurisë, Manastiri duhet të vazhdojë të ruhet 24/7 nga trupat e KFOR-it, siç ka konfirmuar edhe komandanti i KFOR-it. Manastiri i Deçanit herë pas here ballafaqohet edhe me përpjekje të pabaza për të rishikuar identitetin kulturor dhe historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, tendencë e cila nuk është në përputhje me parimet evropiane dhe ndërkombëtare të interpretimit të saktë historik dhe artistik të monumenteve historike dhe objekteve të trashëgimisë”.

Mes tjerash në njoftim, ”Europa Nostra”, specifikon edhe qëndrimin e palës kosovare, për të cilën tregon se Qeveria e Kosovës, kundërshton përfshirjen e këtij manastiri në listën e 7 vendeve më të rrezikuara në Europë për vitin 2021.

”Ata e shohin si të dëmshme për reputacionin e Kosovës. Sipas vlerësimeve të tyre, kjo zonë e trashëgimisë nuk është e rrezikuar”, theksohet ndër tjera për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës.

(Kosova Sot Online)