Analiza e ujit në Han të Elezit: Prezente baktere të gjalla mbi normat e lejuara

  • E.K /
  • 14 July 2022 - 10:21
Analiza e ujit në Han të Elezit: Prezente baktere të gjalla mbi normat e lejuara

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se janë gjetur baktere të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale në ujin e pijes së fshatit Gorancë të Hanit të Elezit ku qindra qytetarë morën trajtime për shkak të ujit.

“Nga aspekti mikrobiologjik në mostrën e ujit të marrë në fshatin Seqishtë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla, ndërsa në mostrën e ujit të marrë në fshatin Gorancë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale. Nga mostrat e fecesit të rasteve simptomatike janë izoluar E.coli Enteroaggregative (EAEC) dhe Norovirus GI/GII”, thotë IKSHPK.

Përndryshe, brenda 24 orëve të fundit janë paraqitur 34 raste në AMF-në e fshatit Gorancë, dhe 13 raste në QKMF-në e Hani Elezit. Të gjitha rastet ishin nga fshati Gorancë dhe kishin simptomatologji të njëjtë me: ethe, temperaturë, kokëdhimbje, mundim, vjellje dhe barkqitje.

Nga banorët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nuk ka të hospitalizuar dhe nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes.

IKSHPK ka dhënë rekomandimet përkatëse:

1. Raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, ligji “Parandalimi dhe luftimi i sëmundjeve ngjitëse në Kosovë” (LNR: 02/L-109).

2. Të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset tjera që kanë ujë të sigurt.

3. Te instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor.

4. Te përcillet cilësia e ujit, të vazhdohet me mostrim për analiza laboratorike-bakteriologjike  dhe vlera e Cl rezidual.

5. Marrja e të gjitha masave për njoftim dhe vetëdijësim të qytetarëve për situatën e krijuar.

6. Rekomandimi kryesor: Komuna pas përfundimit të instalimit të sistemit të klorizimit, vendosjes së orëmatëseve dhe sanimit të rezervuarit kryesor, të ia dorëzoj KRU “Bifurkacioni“-it në menaxhim.

Hulumtimi epidemiologjik në terren në komunën e Hanit të Elezit u bë me datë 13.07.2022.

“Për analiza fiziko-komike dhe bakteriologjike janë marrë mostra në fshatin Gorancë, tek rezervuari kryesor i cili futet me rënie të lirë në rrjetin shpërndarës të fshatit dhe në disa shtëpi private që furnizohen me ujë nga ujësjellësi lokal i fshatit, të cilat janë analizuar në Qendrën Laboratorike Testuese në IKSHPK-së.  Dy mostra të ujit të marra në fshatin Seqishtë dhe Gorancë  me datë 11.07.2022, sipas aspektit fiziko-kimik janë në  përputhshmëri me standardet e parapara me UA 16/2012”.

(Kosova Sot Online)