BE bllokon vizat për personat e ekstremit të djathtë në Ballkan? Judah pyet: Për kënd e kanë fjalën?

  • E.K /
  • 14 July 2022 - 11:25
BE bllokon vizat për personat e ekstremit të djathtë në Ballkan? Judah pyet: Për kënd e kanë fjalën?

Mediumi “Euobserver” ka shkruar sot se shtetet e Bashkimit Europian janë duke zhvilluar bisedime për një bllokadë të mundshme për viza të personave të ekstremit të djathtë në Ballkanin Perëndimor si rezultat i frikës se propaganda ruse po nxit kërcënime të reja.

“Shumë lëvizje të ekstremit të djathtë në Ballkanin Perëndimor kanë një aversion të fortë ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në një draft të presidencës çeke që “Euosberver” shkruan se e ka parë.

Si arsye e rritjes së mosbesimit ndaj Perëndimit thuhet se është raporti i fortë që Rusia ka mbjellë me populistët ortodoksë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Për këtë artikull ka shkruar gazetari që përcjell ngjarjet në Ballkan, Tim Judah, i cili pyeti se për kënd mund të bëhet fjalë konkretisht kur vetëm Kosovës i duhen vizat për të udhëtuar.

“Pyes veten për kënd e kanë fjalën? E paspecifikuar në artikull, fatkeqësisht. Gjithashtu, vetëm kosovarëve aktualisht iu nevojiten vizat për zonën Schengen”.

Bisedat konfidenciale, që do të mbahen në një celulë kundër terrorizmit në Këshillin Evropian më 14 korrik do të përfshijë “ një diskutim mbi efektshmërinë e ndalimeve mbi disa subjekte ekstremiste në vendet e Ballkanit Perëndimor”, shkruan Euobservere thirrur në burime të brendshme.

(Kosova Sot Online)