“Qenke rrezitur mirë”, kështu pritet Kurti sot në Kuvend pas kthimit nga Greqia

  • E.K /
  • 14 July 2022 - 13:49
“Qenke rrezitur mirë”, kështu pritet Kurti sot në Kuvend pas kthimit nga Greqia

“Qenke rrezitur mirë”, kështu pritet Kurti sot në Kuvend pas kthimit nga Greqia.

Pas një vizitë disaditore në Greqi, sot kryeministri Kurti ka marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës. Mirëseardhje i uroi bashkëpartiaku i tij, kryekuvendari, Glauk Konjufca, derisa nuk ‘shpëtoi’ nga komentet e deputetëve të opozitës.

“Qenke rrezitur mirë”, dëgjohet shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke i thënë Kurtit.

Kryeministri Albin Kurti më shumë se një javë ka qëndruar në Greqi. Kjo vizitë është kritikuar shumë nga partitë opozitare.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku të martën ka ngritur dilema rreth qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti në Greqi. Ajo tha se në ngjarje si tryeza ndërkombëtare vjetore e revistës prestigjioze “The Economist” javën e kaluar, kryeministri rri “më së shumti 2 ditë”.

“Sinqerisht, a din dikush me më tregu qe sa ditë është Kryeministri në Greqi? Rëndom, në konferenca të tilla, Kryeministri shkon në hapje, e mbanë fjalimin/takimet dhe kthehet. Më së shumti 2 ditë”, shkroi ajo, duke shtuar se “Kosovën po e qeverisë Besnik Bislimi”.

(Kosova Sot Online)