Kongresi miraton Rezolutë për vëllezërit Bytyqi: Raporti SHBA-Serbi të varet nga zgjidhja e rastit

  • E.K /
  • 15 July 2022 - 10:56
Kongresi miraton Rezolutë për vëllezërit Bytyqi: Raporti SHBA-Serbi të varet nga zgjidhja e rastit

Më 14 korrik 2022 në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan ka marrë dritën e gjelbër Rezoluta për rastin e vrasjes të vëllezërve Bytyqi, e cila ishte dorëzuar në këtë institucion më 29 korrik 2021.

Sipas Rezolutës së miratuar, është kërkuar që personat përgjegjës për vrasjet e Ylli, Agron Dhe Mehmet Bytyqit në korrik 1999 në Serbi duhet të sillen para drejtësisë.

Gjithashtu është dënuar fakti që ende asnjë individ nuk është shpallur fajtorë ndonjëherë për vrasjen e tyre, apo edhe për ndonjë krim tjetër që lidhet me vdekjen e tyre dhe gjithashtu që asnjë person nuk po përballet me akuza për një krim të tillë të tmerrshëm.

Rezoluta në pikën tre të saj kërkon që “Qeveria e Serbisë dhe ministritë dhe zyrat e saj përkatëse, duke përfshirë edhe Prokurorinë Serbe për Krimet e Luftës, duhet ta bëjnë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale sa më shpejt të jetë e mundur ndaj atyre zyrtarëve aktualë ose ish-zyrtarëve që besohet se janë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte”.

Në pikën katër thuhet se SHBA-ja duhet të ofrojë burime të mjaftueshme për të ndihmuar dhe për të monitoruar përpjekjet e Qeverisë së Serbisë dhe ministrive për të hetuar dhe ndjekur penalisht sa më shpejtë të jetë e mundur ata persona që besohet se janë të përfshirë në vdekjen e tyre, drejtpërdrejt apo tërthorazi.

Dhe në pikën e fundit, thuhet se progresi apo mungesa e tij në zgjidhjen e këtij rasti, duhet të mbetet faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të raporteve ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë.

“progresi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në pikën pesë të Rezolutës që është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Rezoluta ka marrë 423 vota “pro”, 1 kundër, derisa s’kanë votuar 6.

Lidhur me këtë ngjarje në Dhomën e Përfaqësuesve ka reaguar edhe familja Bytyqi përmes llogarisë zyrtare në “twitter”.

“Lajme!Dhoma e Përfaqësuesve sapo miratoi Rezolutën e Vëllezërit Bytyqi, duke vendosur se ‘progresi në zgjidhjen e rastit, ose mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Serbisë.”, duke falendëruar edhe politikanin amerikan Lee Zeldin që e ka sponzorizuar Rezolutën.

(Kosova Sot Online)