Osmani pas takimit me kryesuesin e OSBE-së: Presim përkrahje në rrugëtimin tonë euro-atlantik

  • E.K /
  • 15 July 2022 - 11:11
Osmani pas takimit me kryesuesin e OSBE-së: Presim përkrahje në rrugëtimin tonë euro-atlantik

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur sot në Presidencë ministrin e Jashtëm të Polonisë dhe kryesuesin aktual të OSBE-së, Zbigniew Rau. Pas takimit, Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar që të kontribuojë në mënyrë aktive për një Evropë më të bashkuar, më paqësore dhe më demokratike.

“Në takim me ministrin e Jashtëm të Polonisë, Zbigniew Rau, i cili po viziton Kosovën edhe si kryesues aktual i OSBE-së, diskutuam për rolin e OSBE-së në mbështetjen e institucioneve të Republikës përgjatë dy dekadave të fundit, si dhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe më gjerë”, theksoi Osmani.

Ajo mëtutke shtoi se “Kosova ka shënuar progres të vazhdueshëm në forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, prandaj presim përkrahje në rrugëtimin tonë euro-atlantik nga shtetet që ndajnë vlera të njëjta”.

Rau pas takimit me Osmanin u prit nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ndërsa gjatë ditës do të takohet edhe me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe me Kryeministrin Albin Kurti.

(Kosova Sot Online)