Çeku: Europa Nostra s’ka kredibilitet, e ndikuar politikisht nga Serbia

  • E.K /
  • 16 July 2022 - 15:51
Çeku: Europa Nostra s’ka kredibilitet, e ndikuar politikisht nga Serbia

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se ardhja e ekipit të organizatës europiane për trashëgimi kulturore, Europa Nostra, në Kosovë është e pakuptimtë, duke shtuar se ajo është e ndikuar politikisht nga Serbia.

“Për ne kjo vizitë vazhdon të jetë e pakuptimtë, e vonuar dhe pa asnjë efekt. Organizata Europa Nostra ka humbur kredibilitetin pasi që i është nënshtruar ndikimit politik të shtetit serb”.

Përveç kësaj, Çeku në një konferencë për media tha se kjo organizatë ka bërë edhe hipokrizi në një rast me vlerësimin e rrezikshmërisë për Kalanë e Novebërdës.

“Në të njëjtën kohë ne kemi konstatuar edhe një hipokrizi të Europa Nostras, sepse vitin e kaluar e ka përfshirë Manastirin e Deçanit pa të drejtë dhe me ndikim politik nga Serbia në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara, ndërsa vitin e kaluar një organizatë e trashëgimisë kulturore e Kosovës, CHVB, ka dërguar një nominim tjetër për këtë listë, ka qenë Kalaja e Novebërdës e nominuar, e dini rastin e saj dhe shkatërrimet që janë bërë në të, por përkundër të gjitha konstatimeve që kompania e Serbisë e angazhuar për punime në Kalanë e Novebërdës ka shkaktuar dëme të pariparueshme në integritetin e kësaj kalaje, Europa Nostra e ka refuzuar nominimin e saj dhe s’e ka futur në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Çeku tha se përveç e ndikuar nga Serbia, kjo organizatë tashmë i shkel edhe parimet e profesionalizmit dhe objektivitetit dhe refuzon një nominim si Kalaja e Novebërdës. 

Ditë më parë, anëtarë të kësaj organizate qëndruan në Kosovë, derisa në Manastirin e Deçanit u pritën me drekë nga igumeni Sava Janjiq.

(Kosova Sot Online)