Presidenti Meta sot në Kosovë, policia njofton cilat rrugë mbyllen për qarkullim

  • E.K /
  • 21 July 2022 - 14:43
Presidenti Meta sot në Kosovë, policia njofton cilat rrugë mbyllen për qarkullim

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, sot do ta vizitojë Kosovën. Policia ka njoftuar se presidenti Meta do të jetë i shoqëruar nga një delegacion. Policia e Kosovës gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

“Në kohën e ardhjes (pasdite) më 21 korrik, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme, në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta. Po ashtu edhe në ditën e kthimit, më 23 korrik, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës po ashtu ka njoftuar se për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj kërkohet mirëkuptim nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

(Kosova Sot Online)