Xhabir Hamiti: Zoti nuk kërkon rrahjen, vrasjen e gjakderdhjen

  • A.P /
  • 22 July 2022 - 22:40
Xhabir Hamiti: Zoti nuk kërkon rrahjen, vrasjen e gjakderdhjen

Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe teologu Xhabir Hamiti, ka reaguar pas rrahjes brutale të imamit Zeqir Berisha nga Podujeva.

Hamiti ka thënë se sulmi ndaj Berishës duhet të jetë i fundit dhe i papërsëritshëm.

“Kushdo që  tjetrin e ka sulmuar dhe e sulmon duke u thirrur kinse në emër të Zotit, i njëjti nuk bënë gjë tjetër veçse veprim të drejtpërdrejtë kundër vet Zotit në të cilin thirret, kundër shoqërisë, ambientit ku jeton si dhe Atdheut në të cilin frymon”, ka shkruar Hamiti në Facebook.

Hamiti ka shkruar se nuk mund të parafytyrohet dhe të besohet se ekziston një Zot i cili kërkon rrahjen, vrasjen dhe gjakderdhjen mes njerëzve në emër të tij.

“Sulmi i fundit ndaj Imamit, por edhe sulmet tjera të mëhershme në vendin tonë, ndaj atyre cilët ngritën zërin kundër ngjyrimit të besimit me elemente përjashtuese dhe luftënxitëse , shkojnë përtej sulmit ndaj individëve,  dhe pa dyshimin  më të vogël  për qëllim kanë përmbushjen e agjendave të huaja armiqësore kundër popullit dhe vendit tonë”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)