Janë 4-5 vjeç, mjeku tregon gjendjen e fëmijëve të çiftit mërgimtar që vdiq në aksidentin në Podujevë

  • E.K /
  • 29 July 2022 - 11:54
Janë 4-5 vjeç, mjeku tregon gjendjen e fëmijëve të çiftit mërgimtar që vdiq në aksidentin në Podujevë

Nga Emergjenca e Qendrës Klinike dhe Universitare e Kosovës kanë dhënë detaje për gjendjen e dy fëmijëve që mbetën të lënduar nga aksidenti në Podujevë, ku vdiqën dy persona.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka thënë se gjendja e tyre është stabile aktualisht, por se kanë lëndime të rënda.

Ai ka treguar se mosha e fëmijëve është 4 dhe 5 vjeç.

“Që të dy janë duke u trajtuar në Qendrën Emergjente. Janë kryer disa ekzaminime mjekësore të cilat kanë qenë të nevojshme dhe për momentin gjendja e tyre është stabile, mirëpo kanë lëndime të rënda”, tha Syla.

Rastin  e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka bërë me dije se nga ky aksident kanë mbetur të lënduar dy fëmijë.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Për rastin është deklaruar edhe Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati.

Ai ka thënë se njëri nga fëmijët që ka mbetur i lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa tjetri i lënduar lehtë.

“Dy qytetarë nga Komuna e Malishevës e kanë humbur jetën në një aksident trafiku. Njëri nga fëmijët është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe tjetri është i lënduar lehtë. Komuna e Malishevës është në ditë dhimbje e pikëllimi për humbjen e tyre. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe gjithë qytetarëve”, ka thënë Kastrati.

(Kosova Sot Online)